Në vitin 2025, Apolonia e Fierit mbushi 100 vjet jetë. Një shekull histori sportive, qytetare dhe identiteti për Fierin. Por në këtë përvjetor simbolik, që normalisht do të duhej të ishte një festë e madhe për qytetin, as Bashkia e Fierit dhe as klubi zyrtar nuk organizuan asnjë aktivitet përkujtimor. As ceremoni, as homazh, as ndeshje jubilare. Heshtje totale.
I vetmi institucion që e kujtoi këtë datë ishte Shoqata e Lojtarëve Veteranë të Apolonisë, e cila organizoi një ndeshje simbolike dhe më pas një darkë modeste në Seman. Një gjest dinjitoz, por që nxori edhe më shumë në pah mungesën e vëmendjes institucionale ndaj një prej simboleve më të rëndësishme sportive të qytetit.
Apolonia u themelua më 17 qershor 1925 nga një grup studentësh fierakë – Jorgji Xoxa, Jakov Milaj dhe Namik Resuli – si klubi i parë sportiv i qytetit. Emri dhe logoja u frymëzuan nga rrënojat e qytetit antik të Apolonisë, duke e lidhur sportin me historinë dhe trashëgiminë. Klubi nisi si shoqëri shumë-sportëshe dhe për dekada ishte pjesë aktive e jetës sportive kombëtare.
Nga argëtimi i vetëm për mijëra fierakë gjatë viteve të diktaturës, me skuadrën e legjendarit Kujtim Majaci, Tole, Kokuri, Papuçiu, Bita, Stefa me shokë, deri te fitimi i Kupës së Shqipërisë në vitin 1998 me kapiten Ron Haxhine, te përfaqësimi në Europë, nga ringritja pas viteve të vështira deri te ndërtimi i akademisë moderne pas vitit 2001 nën pronësinë e Koço Kokëdhimës, Apolonia ka qenë më shumë se një ekip futbolli: ka qenë shkollë, identitet dhe krenari për fierakët.
Por pyetja mbetet e hidhur: si mund të harrohet një shekull histori? Dhe mbi të gjitha, pse një qytet si Fier nuk gjen dot as vullnetin minimal për të nderuar klubin që e bëri të njohur në hartën sportive të vendit? Ku e ka mendjen Bashkia? Çfarë gjëje tjetër më të rëndësishme ka për të bërë Koço Kokëdhima?