Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë kremtuar sot Ditën e Ujit të Bekuar, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, e cila përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan.
Ceremonia është organizuar nga Kisha e Shën Gjergjit dhe ka nisur me meshën e shenjtë në ambientet e kishës. Pas përfundimit të shërbesës fetare, procesioni është zhvendosur drejt shatërvanit të Sheshit “Europa”, ku është zhvilluar rituali tradicional i hedhjes së kryqit në ujë.
Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe reshjeve të shiut, disa të rinj janë hedhur në ujë për të marrë kryqin. Për të dytin vit radhazi, kryqi është kapur nga 18-vjeçari Samuel Kola, nga Roskoveci.
Kryqi iu dorëzua Metropolitit At Nikolla, i cili e bekoi fituesin dhe besimtarët e pranishëm.
Sipas besimit ortodoks, në Ditën e Ujit të Bekuar të gjitha ujërat konsiderohen të shenjta. Besimtarët i marrin ato për t’i ruajtur në shtëpi gjatë vitit, si simbol bekimi dhe mbrojtjeje shpirtërore.