Shi intensiv në Kukës, ndërhyrje në akse rrugore për shkak të rënies së gurëve

Reshjet e dendura të shiut kanë prekur të gjithë Qarkun Kukës, duke rritur rrezikun në disa segmente të rrugëve nacionale, veçanërisht për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe materialeve inerte nga shpatet.

Sipas informacionit zyrtar, problematikat më të theksuara janë shënuar në territorin e Bashkisë Tropojë, në aksin Bajram Curri–Valbonë, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe prani e ujit në disa segmente të rrugës.

Ekipet e mirëmbajtjes kanë qenë të angazhuara në mënyrë të pandërprerë, duke kryer pastrimin dhe garantuar kalueshmërinë e rrugës, sidomos në pikat më të ndjeshme të këtij aksi.

Aktualisht, qarkullimi rrugor në aksin Bajram Curri–Valbonë dhe në rrugët e tjera nacionale të qarkut po zhvillohet pa pengesa. Autoritetet lokale konfirmojnë se në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk janë raportuar emergjenca apo situata problematike shtesë.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ai është pothuajse i normalizuar në të gjithë qarkun, përveç një numri të kufizuar abonentësh në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.

Prefektura Kukës njofton se strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në kohë reale të situatës dhe mbeten të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile të tre bashkive të qarkut.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033