Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për rëndësinë strategjike të Groenlandës kanë shkaktuar reagime të forta në Kopenhagë, ku kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se çdo përdorim force ndaj një aleati të NATO-s do të minonte vetë themelet e sigurisë ndërkombëtare.
Pas veprimeve ushtarake të SHBA-së në Venezuelë, Trump ka riafirmuar pretendimet për nevojën e kontrollit amerikan mbi Groenlandën, duke rihapur një debat të ndjeshëm mbi statusin e ishullit autonom. Groenlanda, megjithëse gëzon vetëqeverisje të gjerë, mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa çështjet e mbrojtjes dhe diplomacisë menaxhohen nga autoritetet daneze.
Kryeministrja Frederiksen ka qenë e qartë se një sulm ndaj një vendi të NATO-s do të shënonte fundin e aleancës ushtarake dhe do të rrëzonte rendin e sigurisë së pasluftës. Ajo e ka cilësuar një skenar të tillë si shkatërrues për stabilitetin global dhe marrëdhëniet mes aleatëve.
Interesi amerikan për Groenlandën lidhet ngushtë me pozicionin e saj strategjik dhe me burimet natyrore që ajo zotëron. Ishulli përbën një nyje kyçe në mbrojtjen raketore dhe një potencial të rëndësishëm ekonomik në kontekstin e konkurrencës globale për lëndë të para.
Në të njëjtën kohë, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka mbajtur një qëndrim të prerë, duke refuzuar çdo ide për ndryshim të statusit të ishullit. Ai ka deklaruar se retorika për aneksim dhe presioni politik nuk janë të pranueshme dhe se populli i Groenlandës meriton respekt.
Duke folur më pas për situatën, Nielsen ka sqaruar se nuk ka indicie për një ndërhyrje të menjëhershme dhe ka theksuar se Groenlanda është një shoqëri demokratike, me institucione funksionale, e cila nuk mund të krahasohet me vende ku janë ndërmarrë operacione ushtarake.