Në Iran po përshkallëzohen protestat kundër krizës ekonomike dhe politike në vend. Demonstruesit kërkojnë ndryshimin e qeverisë. Gjatë përplasjeve me forcat e rendit ka pasur disa të vdekur.
Pakënaqësia sociale po kthehet në protestë të hapur kundër udhëheqjes në Iran. Gjatë konfrontimeve ndërmjet demonstruesve dhe forcave të rendit në perëndim të vendit, sipas burimeve të ndryshme, deri të enjten kanë humbur jetën gjashtë vetë.
Protestat nisën të dielën, fillimisht në mënyrë paqësore. Prej ditësh mijëra qytetarë protestojnë kundër rënies dramatike të kursit të monedhës kombëtare dhe krizës ekonomike me përmasa historike. Ajo që filloi si grevë e tregtarëve, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një indinjatë politike, që arrin deri tek thirrjet “vdekje diktatorit”. Protestat janë përhapur nga Teherani edhe në qytete si Isfahan, Mashhad dhe më tej.
A është rënia aktuale e monedhës një krizë inflacioni?
Aktualisht, një dollar amerikan këmbehet me rreth 1.450.000 rialë. Një vit më parë, kursi ishte rreth 820.000. Një punëtor me pagë mesatare mujore në Iran përfiton në vlerë afërsisht 100 dollarë. Me këtë shumë, rroga shpenzohet për blerje ushqimesh bazë.
Në një vend të varur nga importi si Irani, një inflacion i tillë shkakton destabilizim të menjëhershëm. Avokatja e të drejtave të njeriut Gissou Nia thekson se megjithëse zhvleftësimi i valutës është një nga shkaqet e protestave, problemi qëndron më thellë: “Shkaku ekonomik është vetëm një pikënisje. Por nëse dëgjon parrullat dhe sheh përmasat, kupton se është një refuzim i thellë ndaj regjimit dhe një dëshirë që ai të largohet.” Për shumë iranianë, kjo nuk shihet më si krizë e përkohshme, por si dështim sistemik i regjimit të udhëhequr nga Ali Khamenei.
Çfarë e dallon këtë valë protestash?
Kjo valë e fundit pason protestat e viteve të mëparshme si 2017, 2019 dhe 2022. Ato përfshijnë indinjatë sociale, përvojë me dhunën shtetërore dhe kritikë kulturore ndaj sistemit. Ky bashkim elementësh e zgjeron ndikimin dhe e bën më të qëndrueshme rezistencën.
Radikalizimi i sloganeve është i qartë. Shprehje si “Zan, Zendegi, Azadi” – “Grua, jetë, liri”, një thirrje e protestave të vitit 2022, rikthehen bashkë me “vdekje diktatorit”. Kërkesat për reforma janë zëvendësuar me kërkesa për përmbysjen e sistemit. Lëvizja ka përqafuar një repertor të përbashkët politik që lidh breza të ndryshëm.
Pazari si pikënisje proteste
Fakti që protestat nisën nga pazari është një kthesë e rëndësishme. Tradicionalisht, pazari ka qenë mbështetje e sistemit, një indikator politik dhe faktor vendimtar në protesta të mëparshme – përfshirë Revolucionin Islamik të 1979-s. Grevat e tregtarëve godasin jo vetëm ekonominë, por edhe shtyllat konservatore të regjimit. Nia e quan pazarët “gjaku jetësor i ekonomisë”. Pronaret e dyqaneve janë bashkuar në protesta ngaqë situata është bërë e padurueshme.
Presidenti Peseschkian me duar të lidhura
Presidenti Massud Peseschkian ka pak hapësirë veprimi. Ai ka deklaruar: “Nëse problemet nuk zgjidhen, ne nuk mund të qeverisim”. Ky është një pranim i dështimit politik. Ndërrimi i guvernatorit të Bankës Qendrore nuk mjafton për të qetësuar zemërimin popullor.
Projektbuxheti për vitin 2026 parashikon rritje taksash me 62% në kushtet e një inflacioni 50%. Kjo perceptohet si plaçkitje nga qytetarët. Besimi në klasën politike është zhdukur. Askush nuk e ndan më “reformatorin” nga “radikali” – të gjithë shihen si përgjegjës.
Kriza prek gjithë shoqërinë
Kriza ekonomike është kthyer në krizë sociale dhe infrastrukturore. Kursimet janë zhvlerësuar, ushqimet dhe ilaçet janë të paarritshme ose mungojnë, ndërsa uji dhe energjia janë gjithnjë e më të rralla. Preken jo vetëm të varfrit, por edhe shtresa e mesme.
“Realiteti është që njerëzit nuk përballojnë dot as blerjet bazë”, thotë Nia. Në shumë qytete uji ndërpritet rregullisht. Ky lloj kolapsi ndihmon në radikalizimin politik. Kur s’ke çfarë humbet, je më i gatshëm të përballesh me dhunën shtetërore.
Kundërshtimi ndaj politikës së jashtme
Për dekada, regjimi ka investuar miliarda në milicitë e tij në rajon – Liban, Jemen, Gaza. Protestat tani po drejtohen kundër kësaj politike. Kjo thyen një tabu ideologjike. Slogani “As Gaza, as Libani – jeta ime për Iranin” është shprehje e një nacionalizmi social. Çdo dollar që shkon për jashtë vendit shihet si tradhti ndaj popullit.
Si do veprojë regjimi?
Regjimi kombinon retorikën qetësuese me dhunë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe armë kundër protestuesve paqësorë. Kjo tregon nervozizëm dhe mungesë kontrolli. Reagimi i shpejtë dhe i dhunshëm sinjalizon dobësi. Dhuna nuk tremb më, por vetëm konfirmon se regjimi nuk ka më zgjidhje.
A janë shërbimet sekrete të huaja pas protestave?
Autoritetet iraniane tradicionalisht fajësojnë shërbimet e huaja për protestat. Sidomos SHBA dhe Izraelin. Pas thirrjes publike nga Mossad për mbështetje të protestuesve, regjimi ka rikthyer narrativën e “komploteve të jashtme”. Por mobilizimi i gjerë dhe spontan nuk mund të kontrollohet nga jashtë. Kjo retorikë vetëm sa e tregon udhëheqjen të shkëputur nga realiteti.