S’ka më pagesa pa limit – hyn në fuqi tavani 500 mijë lekë për pagesat “në dorë”

Për të blerë një automjet, apartament apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë më në dorë të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo. Që nga fillimi i vitit, për pagesat “cash” është vendosur një tavan: qytetarët do të mund të paguajnë në dorë maksimalisht 500 mijë lekë.

Ndërkohë, deri në fund të qershorit të këtij viti, të gjitha bizneset në fushën e turizmit dhe të transportit duhet të pajisen me terminalin POS për të bërë pagesa me kartë. Deri në fund të vitit, kjo detyrë do të shtrihet për të gjithë sipërmarrësit, të cilët duhet të ofrojnë si alternativë pagesën me kartë.

Megjithatë, Shoqata e Bankave ka rezerva për afatet e përcaktuara për këtë tranzicion. Ajo ngre shqetësime lidhur me kohën e shkurtër të përshtatjes dhe mungesën e infrastrukturës në disa zona.

Për krahasim, Maqedonia e Veriut ka miratuar një normë tavan prej 500 eurosh për pagesat në dorë, duke shërbyer si model për vendet e rajonit.

Aktualisht, legjislacioni shqiptar përmbante kufizime vetëm për pagesat “cash” të bizneseve, të cilat ishin të fiksuara në 150 mijë lekë maksimumi. Por me ndryshimet e reja, ky kufizim zgjeron efektin edhe mbi qytetarët, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar ekonominë informale dhe për të nxitur përdorimin e sistemit bankar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033