Opozita i vuri “zjarrin” Kuvendit, Peleshi tender 100 mijë euro për dreka, darka e koktejle!

Dhjetori ishte një “arenë” përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, madje pati bllokime të foltores, hedhje flakadanësh, përplasje deri në fizike mes deputetëve, ministrave apo me punonjës të Gardës së Republikës.

Miratimi i buxhetit dhe betimi i Avokatit të Popullit solli gjithë këtë rrëmujë, e cila duket se nuk i ka bërë fare përshtypje kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili si një korçar i vërtetë e ka pasur mendjen te festat, drekat, darkat apo koktejlet.

Nikon e kemi parë me kitarë në dorë duke luajtur muzikë, kryesisht serenata korçare, të shoqëruara nga ushqim dhe pije të mira, duhan dhe atmosferë festash, të cilat më së shumti ndihen në Korçë.

Dhe, duke tentuar që t’a bëjë edhe Kuvendin një “Korçë të vogël”, ai ka futur frymën e ahengut, ushqimit dhe pijeve, për punonjësit apo edhe ata që i takon. Salla e Kuvendit duket se do të kthehet në një “buzuk”, ku s’do të mungojnë gjithë të mirat e renditura më sipër.

Sipas dokumenteve përkatëse, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur në ditët e fundit të vitit 2025 një tender në kuadrin e atmosferës së festave të Vitit të Ri. Objekti i procedurës ka qenë “shërbime për dreka, darka, pritje e koktejle”.

Fondi limit i akorduar ka qenë plot 10.000.000 lekë, ose nëse do e konvertojmë në euro, mbi 100 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, duke qenë se në atë muaj, Kuvendi ziente nga sherret e tymnajat, aq sa pati edhe përplasje fizike.

Por, asgjë nuk i ka bërë përshtypje Nikos, i cili vendos të bëjë tenderin e radhës për “shërbime pritjeje”. Duket se fjala e popullit “qentë le të lehin, karvani ecën para” ka gjetur vend për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, i cili as nuk e ka vënë ujin në zjarr për çka po ndodh me opozitën.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033