Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka deklaruar mbështetjen zyrtare të Shqipërisë për veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Në një reagim publik, Spiropali theksoi se Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah SHBA-së dhe Presidentit të saj në atë që e cilësoi si një aksion vendimtar kundër regjimit në Venezuelë.
“Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës”, deklaroi ministrja.
Ajo shprehu gjithashtu mbështetje për Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke vlerësuar lidershipin e tij në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.
Në deklaratën e saj, Spiropali nënvizoi se populli venezuelian ka, sipas saj, një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit.
“Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale”, theksoi ministrja.