Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar daljen e tij të parë publike për vitin 2026, ku ka komentuar situatën politike në vend dhe zhvillimet e fundit në Venezuelë, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara në Karakas dhe kapjes së presidentit Nicolás Maduro.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri një krahasim të drejtpërdrejtë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit venezuelian, duke e cilësuar Ramën si “Ramaduro” dhe duke deklaruar se, sipas tij, nuk ka asnjë ndryshim mes tyre në mënyrën e sjelljes ndaj institucioneve.
“Edi Rama apo Ramaduro i shpalli luftë të hapur drejtësisë. Në monologun e tij për tre orë pranoi të gjitha vjedhjet që u ka bërë shqiptarëve, por nuk i konsideron vjedhje”, u shpreh Berisha, duke shtuar se Rama mori në mbrojtje, sipas tij, Belinda Ballukun dhe Mirlindën e AKSHI-t, për të cilën tha se kryeministri shprehu “respekt maksimal”.
Berisha deklaroi se Rama është zotuar publikisht se nuk do të pranojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave që lidhen me rrethin e tij familjar dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
“Njeriu që drejtoi arkat e familjes Rama nuk ka si të mos ketë respektin maksimal. Por ajo që përbën zhvillim dramatik është lufta e hapur kundër sistemit të drejtësisë”, tha Berisha.
Sipas tij, situata aktuale përbën një rrezik serioz për rendin kushtetues, ndërsa ai shtoi se në këtë kontekst “mbetet vetëm zëri i opozitës” dhe se “fjalën e ka populli dhe vetëm populli”.
Në përfundim të deklaratës, Berisha paralajmëroi se opozita do të përgatitet për protesta të reja dhe përballje politike, duke e cilësuar këtë fazë si vendimtare për rikthimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri.