Zhvillimet në Venezuelë, Salianji: Mesazh i qartë se pushtetet e ndërtuara mbi krimin nuk zgjasin

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka komentuar zhvillimet e fundit në Venezuelë, ku autoritetet amerikane kanë njoftuar arrestimin e presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, duke i interpretuar këto ngjarje si një sinjal për ndryshime politike më të gjera.

Në deklaratën e tij, Salianji thekson se ajo që po ndodh në Venezuelë përfaqëson një shpresë jo vetëm për atë vend, por edhe për Shqipërinë.

“Një agim i ri për Venezuelën, një shpresë e madhe për agim të ri në Shqipëri. Për ata që thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë instrumente për të ndryshuar regjime kriminale, mjafton t’i hedhin një sy gangsterit të Venezuelës”, është shprehur ai.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, këto zhvillime tregojnë se regjimet që, sipas tij, mbahen përmes krimit, korrupsionit dhe shtypjes së qytetarëve, janë të përkohshme dhe të destinuara të përfundojnë.

“Kur drejtësia ndërkombëtare lëviz, asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikën nuk është i sigurt”, deklaron Salianji, duke shtuar se edhe në Shqipëri nuk mund të zgjasë një pushtet i ndërtuar, sipas tij, mbi banda, manipulim dhe kapje institucionesh.

Në përfundim të reagimit, Salianji thekson se, sipas tij, historia e regjimeve kriminale ndjek gjithmonë të njëjtin përfundim: shembjen.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033