Plehrat në Vërri bëhen mal, tokat ndoten dhe uji helmohet, teksa “shteti” kap lepurin me qerre dhe Subashi & Compani fryjnë sytë.

Më 30 nëntor 2016, kontrata e Partneritetit Publik-Privat me kompaninë e tani të famshmit Klodian Zoto për mbledhjen dhe djegien e plehrave në Qarkun e Fierit hyri zyrtarisht në fuqi. Asokohe ajo u quajt si një nga ndërmarrjet më të rëndësishme në menaxhimin e mbetjeve për vendin. Afatet, garancitë dhe premtimet u vendosën në dokumente, por vitet që pasuan treguan se një gjë mund të jetë e rregullt në kontratë dhe të mos ekzistojë fare në realitet.

Në vitin 2021, impianti duhej të ishte në punë. Në atë periudhë u raportua se mbetjet nisën të dërgoheshin drejt impiantit, me një kapacitet të përmendur 250–280 ton në 24 orë. Kjo duhej të ishte faza kur Fieri dhe bashkitë e tjera të Qarkut do të ndjenin lehtësimin: mbetjet do të trajtoheshin, më pas do të digjeshin dhe do të prodhohej energji. Por ajo që u pa në terren ishte diçka tjetër: mbetjet shkonin, por jo drejt një linje djegieje. Ato thjesht depozitoheshin.

Në janar 2022, situata mori formë të qartë: impianti funksiononte de facto si landfill për bashkitë e Qarkut Fier. Djegia nuk do të bëhej kurrë, por depozitimi do të kryhej me metodën partizane: “mbuloje, ngjeshe dhe ik, mos të shohë njeri”.

Banorët e fshatit Vërri asokohe, vendin ku është ngritur impianti, e përshkruan atë si mal plehrash me erë të padurueshme.

Përveç aromës dhe malit me mbetje, frika më e madhe janë ujërat e ndotura. Në territorin e impiantit dalloheshin gropa të mbushura me ujë të zi, që prodhohet nga dekompozimi i mbetjeve urbane dhe që, sipas ekspertëve, mund të ketë përqendrim të lartë azoti, toksinash dhe metalesh të rënda. Ky ujë është një vatër potenciale infeksioni dhe kërcënim për shëndetin e banorëve, ndërsa shkalla e rrezikut të tij nuk është matur. Praktikisht.

Më 28 mars 2022, prokuroria sekuestron impiantin dhe fut në burg 20 individë, përfshirë edhe nënkryetarin e Bashkisë Fier dhe ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Burgu i vjen rrotull edhe Armando Subashit, i cili, për arsye ende të paditura, shpëton.

Por burgu ishte totalisht i parëndësishëm, pasi mali me plehra vazhdoi të shtohet.

Në qershor 2023, ndërkohë që qytetarët prisnin të shihnin funksionim, u shfaq një tjetër realitet: administratori i emëruar pas sekuestrimit, Farudin Arapi, aplikoi një “tarifë porte” 12 euro për ton – një kusht i prerë, dhe bashkitë që nuk do ta paguanin nuk do të lejoheshin të depozitonin mbetjet. Arapi e justifikoi këtë si kosto minimale për mbarëvajtjen e punës dhe deklaroi se parashikimi në projekt ishte 25 euro për ton. Ai tha se bashkitë që nuk kishin paguar detyrimet do të bllokoheshin dhe nuk do të pranoheshin të depozitonin më.

Në terren, kjo krijoi një situatë absurde: Patosi dhe Divjaka, për mungesë fondesh, u rikthyen përkohësisht te fushat e vjetra të plehrave, derisa u gjet një zgjidhje për pagesat. Ndërkohë, në Fier mbetjet vazhdonin të vinin dhe mali rritej.

Arapi shpjegoi se, kur e mori në dorëzim, linja e diferencimit të mbetjeve nuk ishte gati; se priti një fond për ta vënë në punë, por fondi nuk u miratua nga qeveria, dhe për këtë arsye bëhej vetëm depozitimi. Ai pohoi se nevojiteshin edhe 2.8 milionë euro të tjera për ta vënë impiantin në punë, por këto para ishin refuzuar.

Në janar 2024, nëpërmjet një kontrate qiraje, administrimi i zonës së peshores në hyrje të projektit dhe landfillit iu kalua bashkive të qarkut Fier, ndërsa agjencia mbeti të administronte objektin që duhej të ishte djegës, por që ishte jashtë funksionit. Në praktikë, kjo krijoi një ndarje të çuditshme: bashkitë u morën me pjesën që prodhon çdo ditë problem – mbetjet – ndërsa “zemra” e projektit, inceneratori, mbeti një trup pa funksion.

Më 15 prill 2024, Bashkia Fier ndërmori një hap që ndezi polemika: krijoi një kompani publike për të marrë përsipër menaxhimin e fushës së mbetjeve dhe impiantit jofunksional. Vendimi u miratua në një mbledhje ku publikut dhe medias iu mbyllën dyert, duke shkaktuar tension. Pas kësaj, nënkryetari i këshillit bashkiak nga opozita, Endri Jaupaj, u shkarkua me pretendimin se po filmonte mbledhjen. Jaupaj tha se këshilli kishte kërkuar informacion për gjendjen e inceneratorit dhe kishte propozuar ngritjen e një grupi pune për vlerësim, por ishte përballur me indiferencë dhe me arsyetimin se objekti ishte nën sekuestro. Ai e quajti situatën “krim mjedisor” dhe paralajmëroi se vendimi po merrej në errësirë, pa e ditur realisht çfarë po trashëgohej.

Në vendimin e shoqërisë së re publike u përcaktuan aksionet dhe kontributet: Bashkia Fier si aksionere kryesore me 50.78% dhe pagesë 5.1 milionë lekë; Bashkia Lushnjë me 25% dhe 2.5 milionë lekë; Patosi 7.03% me 700 mijë lekë; Roskoveci 5.47% me 500 mijë lekë; Divjaka 7.03% me 700 mijë lekë; Mallakastra 4.69% me 500 mijë lekë. Në thelb, u hodh në letër një strukturë që pritej të marrë kontrollin “kur të përfundojë gjyqi”. Pra, edhe menaxhimi u lidh me një proces që pritet të zgjasë pafundësisht.

Më 21 tetor 2025, historia mori një tjetër kthesë: Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të GJKKO-së dhe vendosi që çështja të rigjykohet në Apelin e GJKKO-së, por me një trup tjetër gjykuese. Rekursi ishte bërë si nga prokurori i SPAK, Dritan Prenci, ashtu edhe nga mbrojtja e të pandehurve. Vendimi i Gjykatës së Lartë përmblidhej kështu: prishje e vendimit dhe kthim për rishqyrtim në apel me trup tjetër. Për publikun, kjo përkthehet thjesht: edhe më shumë kohë. Dosja me 20 të pandehur rikthehet në shkallën e dytë, ku të dënuarit kërkojnë pafajësi dhe prokuroria kërkon dënim edhe për tre të shpallur të pafajshëm.

Në janar 2026, panorama është e ngrirë: impianti mbetet nën sekuestro, nuk djeg dhe zona përdoret praktikisht si vend depozitimi. Për banorët e Vërrisë, kjo nuk është më temë politike, por ajër i rëndë që thithet çdo ditë. Për bashkitë, është “zgjidhja” që u hoqi fushat e vjetra nga sytë, por u la një mal plehrash në zemër të Myzeqesë, në afërsi të Fierit dhe në mes të tokave bujqësore. Për shtetin, është një dosje që rrotullohet nëpër gjykata. Dhe për qytetarët që paguajnë, është një faturë e vazhdueshme për një incenerator pa zjarr.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033