Policia e Elbasanit ka arrestuar një shtetas 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar, është ndaluar shtetasi me iniciale A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.
Autoritetet bëjnë me dije se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Pejës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arrestimi u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit janë kryer nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare.