Qeveria e Venezuelës ka reaguar ashpër pas shpërthimeve të raportuara në orët e para të së shtunës në Caracas dhe disa zona të tjera të vendit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një agresion të rëndë ushtarak ndaj territorit venezuelian.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet njoftuan se sulmet dyshohet se kanë goditur kryeqytetin Caracas si edhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e cilësuar veprimin si një shkelje serioze të sovranitetit të vendit.
Presidenti Nicolás Maduro ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar aktivizimin e të gjitha planeve kombëtare të mbrojtjes, sipas kushteve dhe rrethanave të përcaktuara nga autoritetet shtetërore.
Në deklaratë, qeveria e Venezuelës shprehet se “refuzon dhe dënon agresionin ushtarak jashtëzakonisht serioz të kryer nga Qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke i bërë njëkohësisht thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe të ndëshkojë këto veprime.
Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu mobilizimin e forcave shoqërore dhe politike në vend për mbrojtjen e integritetit territorial dhe rendit kushtetues.
Sipas deklaratës, Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane dhe populli i Venezuelës janë të angazhuara në një unitet të plotë popull-ushtarak-policor për të garantuar sovranitetin dhe paqen në vend.
Qeveria njofton se do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke depozituar ankesa zyrtare për veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.