Një konflikt mes të rinjve në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e dy personave, pasi gjatë sherrit është përdorur edhe armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali, ku gjatë përplasjes fizike mes disa personave, 25-vjeçari M. A. ka marrë pistoletën nga shoku i tij, 19-vjeçari A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër, duke rrezikuar sigurinë publike.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, situata është neutralizuar pa pasoja për persona të tjerë, ndërsa arma e zjarrit është gjetur dhe sekuestruar.
Të dy shtetasit janë arrestuar dhe materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore, nën akuzat për prishje të qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje.