Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Orikumin e Vlorës, ku një burrë dyshohet se mbyti bashkëshorten dhe më pas u vetëvra.
Sipas hetimeve të Policisë dhe dëshmive të dy djemve të çiftit Sose dhe Llogora Xhebroj, gruaja 40-vjeçare ishte larguar prej rreth dy muajsh nga banesa dhe po qëndronte në shtëpinë e prindërve të saj, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në marrëdhënien bashkëshortore. Megjithatë, procedurat për divorc nuk ishin nisur.
Ditën e ngjarjes, Sose Xhebroj ishte kthyer në banesë për të marrë disa rroba personale. Me të ishte edhe djali i mitur, 15 vjeç, ndërsa djali i madh ndodhej në punë. Pak më vonë, në banesë mbërriti edhe bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, i cili kishte një lokal të vogël dhe siguronte të ardhura për familjen.
Sipas dëshmisë së djalit të mitur, babai i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia.
“Babai më tha të shkoja te puna e vëllait, sepse do dilte xhiro me mamin. Unë ika”, ka treguar ai.
Kur mbërriti te vendi ku punonte vëllai i madh, të dy djemtë u përpoqën të kontaktonin nënën në telefon, por ajo nuk iu përgjigj. Të shqetësuar, ata u kthyen menjëherë në banesë, ku gjetën babanë me fashë në qafë.
“U përpoqëm t’i jepnim ndihmë dhe thirrëm ambulancën, por kur mjekët mbërritën, mami kishte ndërruar jetë”, ka treguar djali mes lotësh.
Policia, e njoftuar nga fëmijët, mbërriti në banesë dhe konstatoi se gruaja kishte shenja dhune dhe ishte mbytur. Pas ngjarjes, Llogora Xhebroj kishte shkuar në garazhin e banesës, ku u vetëvra me armë zjarri.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se çifti kishte pasur probleme prej disa muajsh dhe se burri ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, çka e kishte detyruar atë të largohej nga shtëpia. Megjithatë, gruaja nuk kishte bërë denoncim në polici, duke zgjedhur të strehohej pranë prindërve të saj.