Me interes të madh, publiku ndoqi raportimet e ashtuquajtura të “institucioneve publike të pavarura” në Parlament. Një prej tyre, me ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet dhe cilësinë e produkteve e shërbimeve që konsumojnë qytetarët çdo ditë, është Autoriteti i Konkurrencës. Pritshmëritë ishin të qarta: të dhëna konkrete mbi luftën kundër monopoleve dhe oligopoleve, shifra domethënëse gjobash për shkelësit, nisma hetimore për abuzime të rënda në treg. Por ajo që u dëgjua në sallën e Parlamentit ishte një surprizë e pakëndshme.
Problemi kryesor i Autoritetit të Konkurrencës rezultoi… nevojtorja.
Kryetari i institucionit, Denar Biba, ish-kreu i KQZ-së, i përmendur edhe më herët në një audiopërgjim ku flitej për ndikim në Gjykatën e Strasburgut që qeveria të mos ndëshkohej për çështjen e pronave, dhe i njohur për aftësinë për të qenë gjithmonë “në stacion” për të kapur trenin e radhës të Rilindjes, paraqiti si kërkesë kryesore një godinë të re për institucionin që drejton.
“Ne jemi në kushtet edhe të problematikave të higjienës. 35 zonja që shkojnë në një tualet, është banale që po e them, por ka ardhur momenti për ta thënë, sepse nuk mban më. Nuk ka arkiva. Ambientet ku bëjmë mbledhje përdoren për arkivë. Muret janë plot me dosje, që nuk duhen mbajtur ashtu, por nuk kemi ku t’i mbajmë”, tha Biba, duke justifikuar kërkesën për më shumë fonde buxhetore dhe një ndërtesë të re, me më shumë nevojtore dhe kushte më komode.
Por përtej hallit të infrastrukturës, lind pyetja thelbësore: çfarë ka bërë realisht Autoriteti i Konkurrencës për atë që është misioni i tij ligjor?
Sipas ligjit, qëllimi i këtij institucioni është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, si një e mirë publike. Megjithatë, shifrat e raportuara për vitin e fundit flasin ndryshe. Institucioni, me 49 punonjës në total – prej të cilëve 35 janë gra, të cilat vetë autoriteti i përmend si shembull “diskriminimi pozitiv” – ka realizuar vetëm 11 monitorime dhe 8 procedura hetimore gjatë gjithë vitit.
Rezultatet janë edhe më zhgënjyese. Në asnjë rast Autoriteti i Konkurrencës nuk ka përfunduar me ndëshkime konkrete me gjoba për shkelësit e ligjit. Vetëm në dy raste janë propozuar gjoba, ndërsa në gjashtë të tjera janë dhënë thjesht rekomandime. Për pjesën tjetër të çështjeve të hapura, përfundimi standard ka qenë: “nuk janë gjetur shkelje”.
Në raportin vjetor thuhet se janë hetuar disa nga tregjet më të ndjeshme për qytetarët: çmimi, pesha dhe cilësia e bukës; tregjet e fruta-perimeve, nën dyshimin e rritjes së çmimeve nga prodhuesit drejt shpërndarësve të mëdhenj; tregu i shërbimit taksi; tregu i sigurimit të detyruar nga kompanitë e sigurimit, e të tjera. Por, pavarësisht këtyre hetimeve, Autoriteti nuk ka ndëshkuar askënd. Përkundrazi, në shumë raste ka dalë në përfundimin se nuk ka dominim të tregut dhe se konkurrenca funksionon në mënyrë të ndershme.
Në një vend ku qytetarët përballen çdo ditë me rritje çmimesh, ku disa tregje duken qartazi të përqendruara dhe ku ankesat për mungesë konkurrence janë të shumta, këto përfundime ngrenë më shumë pikëpyetje sesa japin përgjigje.
Raportimi i radhës në Parlament pritet me interes edhe më të madh. Jo për të mësuar nëse janë goditur më në fund monopolet dhe oligopolet, por për të parë nëse Autoriteti i Konkurrencës ka arritur të zgjidhë hallin e vet më urgjent: a janë ndërtuar nevojtore të tjera për institucionin që supozohet të mbrojë konkurrencën e lirë në Shqipëri?