Kozmetikë luksi apo abuzim me çmimet? “Rossmann&Lala” shumë më shtrenjtë në Shqipëri se në Gjermani

Rrjeti i kozmetikës dhe produkteve të kujdesit personal Rossmann&Lala është prej vitesh një nga markat më të pranishme në tregun shqiptar, me dyqane të shtrira në qytetet kryesore të vendit dhe me produkte të njohura ndërkombëtare në raftet e tij. Por së fundmi, rrjeti është përfshirë në polemika për shkak të diferencave të forta të çmimeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Një qytetar ka ngritur publikisht shqetësimin duke krahasuar çmimet e produkteve të njëjta të “Rossmann&Lala” në Shqipëri me ato në Gjermani. Sipas tij, diferencat janë të pajustifikueshme dhe në disa raste arrijnë nivele tronditëse.

Nga krahasimet e bëra, rezulton se një sërë produktesh kozmetike dhe të kujdesit personal shiten në Shqipëri me çmime dukshëm më të larta sesa në tregun gjerman, ndonëse bëhet fjalë për të njëjtat marka, të njëjtat ambalazhe dhe të njëjtën cilësi. Në disa raste, diferenca e çmimit arrin deri në 7 mijë lekë të vjetra më shumë për produkt, krahasuar me Gjermaninë.

Qytetari ka ironizuar këtë situatë, duke e quajtur rrjetin “Rosmann sa krahu”, si një mënyrë për të vënë në pah se çmimet në Shqipëri janë “të kripura” dhe jashtë çdo logjike ekonomike, sidomos kur krahasohen me një vend si Gjermania, ku të ardhurat janë shumë më të larta.

Denoncimi është shoqëruar edhe me pamje video, ku shfaqen çmimet e produkteve në dy tregjet, duke e bërë kontrastin edhe më të dukshëm. Krahasimi ka nxitur reagime dhe diskutime mes konsumatorëve, të cilët pyesin pse produktet e së njëjtës markë kushtojnë më shumë në Shqipëri sesa në një nga ekonomitë më të forta të Europës.

Rasti ka rihapur debatin mbi politikat e çmimeve të rrjeteve të mëdha tregtare në Shqipëri, mungesën e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit. Për shumë qytetarë, diferenca të tilla përforcojnë ndjesinë e abuzimit dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi kontrollin e tregut dhe rolin e institucioneve përgjegjëse.

Deri më tani, nga rrjeti “Rossmann&Lala” nuk ka pasur një reagim publik për këto akuza. Ndërkohë, konsumatorët vijojnë të krahasojnë, të denoncojnë dhe të kërkojnë shpjegime përse në Shqipëri kozmetika e përditshme po shitet me çmime që, sipas tyre, nuk kanë asnjë lidhje me realitetin ekonomik të vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033