Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se marrëveshja për përfundimin e luftës me Rusinë është “90% gati”, në fjalimin e tij të Vitit të Ri, ku theksi kryesor u vendos te qëndresa e vendit ndaj agresionit rus dhe kushtet për një paqe të qëndrueshme.
Sipas Zelenskyt, 10% e mbetur e marrëveshjes do të jetë vendimtare jo vetëm për fatin e Ukrainës, por edhe për sigurinë e Europës. Ai theksoi se Kievi nuk synon paqe “me çdo kusht”, duke nënvizuar se qëllimi është përfundimi i luftës dhe jo shkatërrimi i shtetit ukrainas.
Në fjalën e tij, presidenti ukrainas kundërshtoi idenë e tërheqjes nga rajoni lindor i Donbasit, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të nënkuptonte humbjen përfundimtare të vendit. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të rajonit fqinj të Luhanskut, të njohura së bashku si Donbas.
Zelensky falënderoi vendet aleate për mbështetjen e dhënë, por theksoi se angazhimet politike duhet të shndërrohen në garanci konkrete sigurie dhe të ratifikohen zyrtarisht. Ai bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar garanci sigurie për një periudhë 15-vjeçare, megjithëse afatet dhe mekanizmat e zbatimit mbeten ende të paqartë.
“Firmat mbi marrëveshje të dobëta vetëm e ushqejnë luftën”, u shpreh Zelensky, duke paralajmëruar se ose bota ndalon luftën e Rusisë, ose rrezikon të përfshihet në të.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, në mesazhin e tij të Vitit të Ri, u shpreh se beson te fitorja e trupave ruse, ndërsa Kremlini njoftoi se po rishikon qëndrimin e tij ndaj negociatave, pas pretendimeve për një sulm me dron ndaj një rezidence private të Putinit, akuza të mohuara nga Ukraina.
Ndërkohë, liderë europianë kanë bërë të ditur se takime të rëndësishme për Ukrainën pritet të zhvillohen gjatë muajit janar, me synimin për të garantuar angazhime konkrete për sigurinë dhe paqen afatgjatë në kontinent.