Festimet e ndërrimit të viteve në Elbasan janë shoqëruar me dëme materiale, pasi përdorimi i pakontrolluar i fishekzjarrëve ka çuar në djegien e dy automjeteve dhe dëmtimin e dy të tjerave.
Ngjarja ka ndodhur në zonën mes lagjeve “5 Maji” dhe “Emin Matraxhiu”, ku fishekzjarrët e hedhur gjatë natës festive kanë rënë mbi automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Dy makina janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa dy të tjera kanë pësuar dëmtime të pjesshme.
Pavarësisht këtij rasti, autoritetet bëjnë të ditur se në shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan nuk janë raportuar incidente të rënda me pasoja për qytetarët gjatë natës së ndërrimit të viteve.
Shërbimet e Policisë kanë qenë të pranishme në terren gjatë gjithë natës, duke monitoruar qarkullimin rrugor dhe zonat e festimeve. Sipas të dhënave zyrtare, trafiku ka qenë i dendur, ndërsa ambientet festive janë frekuentuar gjerësisht nga qytetarët.
Policia ka vijuar kontrollet dhe masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke apeluar për kujdes në përdorimin e mjeteve piroteknike për të shmangur rreziqe dhe dëme të ngjashme.