Qiratë shënuan rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7%, duke forcuar edhe më tej një tendencë që kishte nisur që në verën e këtij viti. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, qiratë u kthyen në përbërësin kryesor të inflacionit, duke zhvendosur ushqimet nga pesha kryesore në rritjen e kostos së jetesës.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një trend rritës të fortë gjatë gjithë vjeshtës së vitit 2025, i cili jo vetëm që nuk është ndalur, por po vazhdon edhe në muajt e fundit të vitit. Sipas ekspertëve të tregut imobiliar, shtrenjtimi i qirave lidhet me një kombinim faktorësh që prekin drejtpërdrejt raportin mes kërkesës dhe ofertës.
Faktori kryesor lidhet me rritjen e ndjeshme të çmimeve të banesave. Blerja e një apartamenti të ri është bërë e papërballueshme për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e shtëpisë del jashtë mundësive financiare, familjet dhe të rinjtë detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të futen për herë të parë në tregun e qirave. Kjo rrit menjëherë kërkesën dhe, si pasojë, edhe çmimet. Paralelisht, edhe pronarët që kanë marrë kredi të shtrenjta po rrisin qiratë për të mbuluar këstet mujore të huave.
Një tjetër presion i fortë vjen nga turizmi dhe vizitorët e huaj. Shqipëria është kthyer në një destinacion atraktiv, edhe për shkak të çmimeve relativisht të ulëta të qirave ditore. Në zonat qendrore të Tiranës, një apartament mund të jepet me qira ditore rreth 40–60 euro, ose mesatarisht 50 euro nata, shumë më lirë se kryeqytetet e tjera europiane. Si pasojë, një pjesë e madhe e apartamenteve janë zhvendosur nga tregu i qirave afatgjata drejt atij afatshkurtër turistik, duke tkurrur ofertën për banorët vendas dhe duke shtyrë çmimet lart.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se shumë apartamente të shitura vitet e fundit mbeten bosh gjatë pjesës më të madhe të vitit. Ato përdoren vetëm disa ditë nga emigrantët ose shtetasit e huaj dhe nuk hidhen fare në tregun e qirave, duke e përkeqësuar më tej mungesën e ofertës.
Familjet me buxhete të kufizuara janë ndër më të prekurat. Ato po shtyjnë në kohë blerjen e një shtëpie dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta. Agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike të kryeqytetit janë gjithnjë e më të pakta apartamentet me çmime të përballueshme.
Sipas tyre, prona me qira në vlerat 300–350 euro në muaj janë shumë të rralla dhe gjenden kryesisht në zona periferike si Astiri apo Fresku. Edhe këto apartamente merren pothuajse menjëherë sapo hidhen në treg.
Në segmentin e qirave rezidenciale, viti 2025 ka shënuar rekorde. Për apartamente 1+1 në zonat më të kërkuara të Tiranës, qiratë kanë arritur deri në 900 euro në muaj. Të dhënat nga agjencitë imobiliare tregojnë se, brenda vetëm një viti, çmimet e qirave janë rritur mesatarisht nga 6% deri në 57%, në varësi të zonës dhe tipologjisë së banesës.
Zona pranë stadiumit “Air Albania” vijon të jetë më e shtrenjta në kryeqytet. Për apartamente 2+1, qiraja mesatare ka arritur në 1,800 euro në muaj, me një rritje vjetore prej 13%. Në ish-Bllok, qiratë për apartamente 1+1 kanë shkuar në 650 euro në muaj, 16% më shumë se një vit më parë, ndërsa për 2+1 çmimi ka arritur 900 euro, ose 6% më shumë se në vitin 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, qiratë për apartamentet 1+1 janë rritur në 700 euro në muaj, rreth 8% më shumë se një vit më parë, ndërsa për banesat 2+1 rritja ka qenë edhe më e ndjeshme. Në zonën e Komunës së Parisit, çmimet për 1+1 kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, rreth 650 euro në muaj, por për apartamentet 2+1 janë rritur në 800 euro, ose 14% më shumë se në vitin 2024.
Rritje të forta janë shënuar edhe pranë Liqenit Artificial. Qiratë për apartamentet 1+1 kanë arritur në 900 euro në muaj, me një rritje vjetore prej 13%, ndërsa për apartamentet 2+1 çmimet janë rritur nga 1,200 në 1,400 euro në muaj, ose 17% më shumë se një vit më parë.
Në kontrast të fortë me këtë situatë, turistët që marrin shtëpi me qira afatshkurtra mund të gjejnë ende çmime relativisht të ulëta krahasuar me Europën. Në shumë raste, një apartament në Tiranë jepet për 40–60 euro në ditë, ndërsa në kryeqytete të njohura europiane çmimi mesatar ditor kalon lehtësisht 100 euro.
Sipas të dhënave të AirDNA, njësia analitike e platformës Airbnb, në fund të vitit 2024 në Shqipëri ishin të listuara rreth 21 mijë njësi për qira afatshkurtër, nga të cilat rreth 3 mijë ndodheshin në Tiranë.
Në rritjen e qirave ka ndikuar edhe inflacioni i përgjithshëm. Kostot e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave janë rritur, dhe këto shpenzime po transferohen drejtpërdrejt te qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe më tej nga fakti se qiratë turistike janë më fitimprurëse sesa ato afatgjata.
Edhe në vijim, aktorët e tregut paralajmërojnë se çmimet e qirave pritet të vazhdojnë rritjen, për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së ofertës së përballueshme. Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë me politika konkrete për ndërtimin e banesave me çmime të përballueshme dhe për zgjerimin e programeve të banesave sociale, barra mbi qiramarrësit nuk pritet të lehtësohet. Përkundrazi, rritja mund të bëhet edhe më agresive në muajt dhe vitet në vijim.