KY DJALË DHE BURRI I PUSHKATUAR

Ky djali këtu, ka pozuar në këtë foto, kur ishte në kampin e pionierëve në Durrës, para 50 vitesh.

Pranë kampit të fëmijëve ishte Kavalishenca, (godina rezidenciale ku pushonin ushtarakët e lartë të Ministrisë).

Atë vit, në ceremoninë e mbylljes së sezonit të kampit të pionierëve, u ftua të vinte dhe Petrit Dume, (Shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë). Qe një ceremoni e madhe, me rreth 1500 fëmijë, të vendosur në formë kuadratesh në fushën e futbollit. Shkallina me 5 breza e stadiumit ishte e mbushur plot me të ftuar, me zyrtarë dhe grupe marksiste-leniniste të huaj që plazhonin në Durres.

Ky djali në foto mori çmimin e parë në pikturë. E thirrën si gjithë fituesit, me autoparlant, të ngjitej tek shkallët e të ftuarve, ku ushtaraku i lartë i dha çmimin, bashkë me librin “Këngë në minierë” të Dhimitër Shuteriqit. (Nuk kaluan veçse pak muaj, ndoshta atë vjeshtë, dhe shefin e ushtrisë shqiptare, Petrit Dume e pushkatuan.

Mbaj mend se, atje në fshehtësi këtij djali i erdhi keq për burrin e vrarë, mbasi ai e pati përqafuar dhe i kishte dhuruar librin).

Ky djali vazhdoi të vizatonte bukur, por piktor nuk u bë asnjëherë, mbase nuk ishte dhe aq i talentuar sa duhej. Me vonë, kur u rrit, studioi për letërsi e gazetari, dhe u mor me libra.

Drejtor i kampit atëherë ishte Pllumb Gjebrea, mjek kampi Flamur Topi. Borizani i atij turni qe Fejzi Molla, (nga Lezha, nga i njëjti qytet me djalin e fotos). Marsela Gjondedaj, studente nga Vlora, ishte udhëheqja e kompanisë 53, (ku ishte ky djali).

Dhe, që pas asaj dite, kur u mbyll sezoni, nuk u mor vesh se ku u emrua dhe nga shkoi ajo mësuese e talentuar.

Të gjithë ikën dhe u shpërndanë anë e mbanë, ndërsa me mua, përjetë, mbeti veç ky djali i fotos së kampit të atëhershëm.

Kanë ikur shumë vite, dhe nuk e di më, a ngjaj sado pak me të?!

Nga MARK SIMONI

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033