Miratohet vendimi për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, përcaktohen kategoritë përfituese

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit. Vendimi përcakton qartë kategoritë përfituese, thuajse të gjitha llojet e pensioneve, si dhe masën përkatëse të kompensimit.

Sipas vendimit, pensionistët me të ardhura deri në 40 000 lekë në muaj do të përfitojnë kompensim deri në 1 800 lekë në muaj. Në këtë kategori përfshihen pensionistët e pleqërisë së plotë urbanë dhe ruralë, nënat me shumë fëmijë, pensionistët e reduktuar të pleqërisë, si dhe pensionistët e minierave, naftës, gazit dhe metalurgjisë.

Pensionistët me të ardhura deri në 22 000 lekë në muaj do të përfitojnë kompensim deri në 800 lekë në muaj. Këtu përfshihen pensionet e pjesshme të pleqërisë, pensionistët që nuk plotësojnë periudhën minimale të sigurimit dhe përfituesit e pensionit social.

Një tjetër kategori janë pensionistët me të ardhura deri në 18 000 lekë në muaj, të cilët do të përfitojnë kompensim deri në 1 000 lekë në muaj. Kjo kategori përfshin pensionistët e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionistët ruralë.

Për pensionet e invaliditetit, përfituesit me të ardhura deri në 30 000 lekë në muaj do të marrin kompensim deri në 600 lekë në muaj, ndërsa pensionistët familjarë me të ardhura deri në 18 000 lekë në muaj do të përfitojnë deri në 700 lekë në muaj.

Vendimi parashikon që kompensimi të llogaritet si diferencë, në rast se masa e pensionit dhe përfitimet e tjera e tejkalojnë kufirin maksimal të përcaktuar për secilën kategori. Në të ardhurat mujore përfshihen pensioni bazë, shtesat suplementare, trajtimet e veçanta financiare dhe kompensimet e mëparshme.

Kompensimi do të aplikohet edhe për pensionistët që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, nëse e drejta e pensionit lind deri më 31 dhjetor 2026. Për ata që dalin në pension pas vitit 2027, vendimi nuk parashikon përfitim.

Efekti financiar total i këtij vendimi arrin në rreth 9.8 miliardë lekë dhe do të përballohet nga buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2026. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të zbatohet nga 1 janari 2026.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033