Procesi i kompensimit të pronarëve hyn në një fazë konkrete, me mbi 13 mijë familje që do të përfitojnë pagesa financiare nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Fondi total i shpërndarë për këtë qëllim kap vlerën rreth 1.4 miliardë lekë dhe do të transferohet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të përfituesve.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka theksuar se kjo nismë shkon përtej aspektit financiar, duke e cilësuar atë si një akt drejtësie dhe respekti ndaj së drejtës së pronës. Sipas tij, ky hap përmbyll një proces të vonuar prej vitesh dhe rikthen besimin e pronarëve te institucionet.
Lamallari bëri të ditur se qeveria është e vendosur të vijojë procesin e kompensimit edhe për pronarët e tjerë që presin zgjidhje, duke kërkuar që Agjencia e Trajtimit të Pronës të veprojë me ritme të shpejta, transparencë të plotë dhe në përputhje të rreptë me ligjin.
Sipas statistikave zyrtare, numri më i lartë i kërkesave për njohje pronësie dhe kompensim vjen nga qytete të mëdha si Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi, Korça, Fieri dhe Gjirokastra, duke reflektuar shtrirjen e gjerë të këtij procesi në të gjithë vendin.
Autoritetet bëjnë me dije se shpërndarja e fondeve synon jo vetëm zgjidhjen financiare të çështjeve të pronësisë, por edhe përmbushjen e standardeve të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.