Operacion “Fireworks” në Tiranë, dhjetëra kontrolle, arrestime dhe procedime për fishekzjarrë të paligjshëm

Një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës kundër tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike ka çuar në arrestimin e tre personave dhe procedimin penal të nëntë të tjerëve, pas kontrolleve të zhvilluara në disa zona të kryeqytetit.

Aksioni u zhvillua në kuadër të planit operacional “Fireworks”, me fokus parandalimin e rrezikut për qytetarët dhe garantimin e rendit publik gjatë festave të fundvitit. Gjatë kontrolleve u konstatuan shtatë raste të mbajtjes dhe shitjes së fishekzjarrëve pa leje, në markete, automjete dhe ambiente publike.

Sipas Policisë, një 28-vjeçar u arrestua pasi u kap me lëndë piroteknike në automjet, ndërsa një tjetër person u procedua edhe për posedim të një sasie të vogël Cannabisi. Në raste të tjera, policia arrestoi një 22-vjeçar dhe një 55-vjeçar, ndërsa procedoi penalisht disa shtetas të rinj, të cilëve iu gjetën fishekzjarrë të destinuar për shitje ose përdorim.

Në një market në rrugën “Myslym Keta” u konstatua shitje e paligjshme e fishekzjarrëve, ndërsa dy qytetarë u kapën në momentin e blerjes së tyre. Raste të tjera u evidentuan në automjete dhe në rrugë, ku u sekuestruan sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim dhe u ka bërë apel qytetarëve të shmangin përdorimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike pa autorizim, për të garantuar sigurinë e tyre dhe të komunitetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033