Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen me tre muaj të afateve hetimore për çështjen e njohur si dosja “Bankers Petroleum”.
Sipas SPAK, kërkesa për shtyrjen e afateve u paraqit për shkak të nevojës për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore shtesë, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes. Kërkesa u argumentua nga prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella dhe u miratua nga gjyqtari Erion Çela.
Aktualisht, i vetmi person që ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” në këtë çështje është CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao. Të pandehurit e tjerë janë subjekt i masave më të lehta sigurie, përfshirë edhe “arrestin në shtëpi”.
Hetimet e SPAK lidhen me dyshime për deklarime të pasakta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare gjatë periudhës 2004–2024, duke shkaktuar, sipas organit të akuzës, dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.
Prokuroria ka bërë të ditur se kompania “Bankers Petroleum” ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh. Sipas SPAK, kjo ka sjellë shmangie të tatimit mbi fitimin dhe përfitime të dyshimta nga rimbursimet e TVSH-së.
Disa ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh, e vendosur në vitin 2019, pasi kompania nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.