Homazh kombëtar apo ceremoni e thjeshtë? Franca përballet me ndarjen nga jeta të Brigitte Bardot

Ndarja nga jeta e Brigitte Bardot ka hapur një diskutim të gjerë në Francë mbi mënyrën se si duhet nderuar një nga figurat më të njohura të kinemasë franceze dhe një aktiviste e njohur për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

Éric Ciotti, udhëheqës i partisë së djathtë UDR, ka kërkuar publikisht një homazh kombëtar për Bardot-in, duke i bërë thirrje presidentit Emmanuel Macron që të organizojë një ceremoni shtetërore. Ai argumenton se Bardot i ka dhënë Francës një imazh të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në transformimet shoqërore të shekullit XX. Kërkesa e tij është mbështetur nga mijëra qytetarë përmes një peticioni që ka kaluar shifrën 23 mijë nënshkrime.

Megjithatë, reagimet kanë qenë të ndara. Liderë të së majtës, përfshirë Olivier Faure, kanë shprehur rezerva, duke theksuar se homazhet kombëtare janë të destinuara për figura që kanë kontribuar drejtpërdrejt në interesin publik dhe vlerat republikane. Ai ka kujtuar se Bardot ishte dënuar disa herë për deklarata që nxitnin urrejtje racore.

Në të njëjtën kohë, kryebashkiaku i Nicës ka njoftuar se një vend simbolik në qytet do të mbajë emrin e saj, ndërsa Presidenti Macron e ka përshkruar Bardot-in si një figurë që mishëroi lirinë dhe ndikoi thellësisht në kulturën franceze.

Zëra pranë aktores kanë theksuar se vetë Bardot nuk kishte dëshirë për ceremoni madhështore. Miq të saj kanë deklaruar se ajo preferonte një lamtumirë të thjeshtë dhe intime, larg vëmendjes publike, në përputhje me jetën që kishte zgjedhur të bënte për dekada me radhë.

Sipas njoftimeve zyrtare, Brigitte Bardot do të varroset në Saint-Tropez, pranë familjes së saj. Ceremonia mortore do të mbahet më 7 janar në kishën Notre-Dame de l’Assomption dhe do të ndiqet nga banorët e qytetit përmes ekraneve të vendosura në hapësira publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033