Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një deklaratë për mediat, ku ka paraqitur atë që e cilësoi si bilanci i vitit 2025, duke akuzuar qeverinë për vjedhje të qytetarëve dhe për bllokimin e funksionimit demokratik të Parlamentit.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se viti 2025 shënoi, sipas tij, një kulm të keqqeverisjes, duke pretenduar se qytetarët shqiptarë janë vjedhur më shumë se kurrë gjatë dekadave të fundit. Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka hequr çdo maskë politike dhe ka mbyllur çdo hapësirë për opozitën në institucionet përfaqësuese.
“Mbyllim këtu sot komunikimin me mediat, dhe nëpërmjet tyre me qytetarët, dhe është traditë të bëjmë një bilanc të shkurtër të këtij viti kulmor të narkoregjimit të Edi Ramës,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, viti 2025 ishte një vit ku “shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz”, duke e lidhur situatën politike me procesin zgjedhor dhe funksionimin e Parlamentit.
Berisha akuzoi qeverinë se e ka shndërruar procesin zgjedhor në një farsë dhe Parlamentin në një institucion që, sipas tij, nuk përfaqëson më parimet e një shteti demokratik. Ai deklaroi se opozita është përballur me bllokim të plotë institucional gjatë këtij viti.