Punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar në strukturat vendore gjatë sezonit turistik do të përfitojnë një shpërblim financiar prej 30.000 lekësh, si vlerësim për punën e kryer në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Vendimi ka hyrë në fuqi dhe përcakton shpërblimin për efektivët me gradë policore, të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e situatave të sigurisë gjatë muajve të verës. Në motivacion theksohet angazhimi dhe përkushtimi profesional i treguar në një periudhë me ngarkesë të shtuar operative.
Sipas urdhrit të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, strukturat e burimeve njerëzore në nivel vendor do të hartojnë dokumentacionin përkatës për dhënien e shpërblimit, ndërsa drejtuesit e strukturave vendore janë ngarkuar me zbatimin e menjëhershëm të tij.
Shpenzimet financiare do të mbulohen nga buxheti i vitit 2025 për programin “Policia e Shtetit”. Vendimi parashikon gjithashtu përfshirjen e Drejtorisë së Financave dhe Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në ndjekjen dhe realizimin e procedurave.
Ky shpërblim vlerësohet si një masë motivuese për efektivët që kanë mbajtur barrën kryesore të sigurisë gjatë sezonit turistik, një nga periudhat më intensive për Policinë e Shtetit.