Një përplasje e re diplomatike është hapur mes Kievit dhe Moskës, pasi Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm të pretenduar me dron ndaj një prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin. Autoritetet ukrainase e kanë mohuar menjëherë këtë version, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe të motivuar politikisht.
Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë natës së së dielës janë lëshuar 91 dronë drejt rezidencës shtetërore të Putinit në rajonin e Novgorodit. Rusia pretendon se mbrojtja ajrore i ka asgjësuar të gjithë dhe se nuk ka pasur pasoja në njerëz apo infrastrukturë.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi duke deklaruar se bëhet fjalë për një përpjekje të Rusisë për të krijuar alibi për vazhdimin e luftës. Ai paralajmëroi se këto akuza mund të shërbejnë si sinjal për sulme të reja ndaj Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.
“Rusia po kërkon arsye për të vazhduar agresionin dhe e sheh çdo përparim drejt armëpushimit si dështim,” u shpreh Zelensky, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë përballë këtyre pretendimeve.
Nga ana e saj, Moska ka deklaruar se do të rishikojë pozicionin në negociatat e paqes, por ka sqaruar se nuk do të tërhiqet nga procesi i dialogut me Shtetet e Bashkuara. Kremlini ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do të publikojë prova për sulmin e pretenduar.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës theksoi se Rusia nuk ka paraqitur asnjë provë bindëse dhe se një sulm i tillë nuk ka ndodhur. Ai u bëri thirrje vendeve partnere të mos bien pre e pretendimeve të pavërteta.
Ngjarja ndodh në një moment delikat diplomatik, pas takimeve të fundit mes presidentit amerikan dhe atij ukrainas, ku u diskutua një plan i rishikuar për paqen. Zelensky ka deklaruar se ekziston një mundësi reale për përfundimin e luftës në vitin 2026, por ka theksuar se mbështetja amerikane mbetet vendimtare.
Ai ka shtuar gjithashtu se nuk ka besim se Rusia synon realisht paqen, duke theksuar se çështjet territoriale dhe kontrolli mbi rajonet lindore të Ukrainës mbeten ende të pazgjidhura.