Shefi i krimeve në Përmet, Dhurim Çenko, është rikthyer në detyrë pas disa muajsh pezullim, në vijim të procedurave disiplinore të hapura pas zbulimit të rastit të abuzimit seksual ndaj një të miture në këtë qytet.
Çenko ishte pezulluar më 19 shtator, një ditë pasi ngjarja u bë publike, nën dyshimet se kishte pasur dijeni për rastin dhe nuk kishte vepruar për ta ndaluar apo referuar atë. Ndaj tij ishte hapur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur verifikime edhe për punonjës të tjerë policie.
Rasti u zbardh më 18 shtator, pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese që lidhen me abuzimin. Përveç njerkut të vajzës së mitur, shtetasit P.B., i cili ishte punonjës policie, dhe shpalljes në kërkim të kolegut Ago, autoritetet arrestuan edhe dy shtetas të tjerë, Kristian Prifti, 46 vjeç, dhe Isi Pasho, 27 vjeç.
Sipas hetimeve, këta dy persona dyshohet se kanë shantazhuar policin Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar një video që ata pretendonin se tregonte marrëdhënie intime, në një emision investigativ.
Dy punonjësit e policisë janë pezulluar nga detyra, ndërsa e mitura vijon të qëndrojë pranë familjes, duke marrë asistencë psikologjike. Hetimet për ngjarjen dhe përgjegjësitë përkatëse vijojnë në institucionet kompetente.