Vetëm 24 orë para ndërrimit të viteve, dhjetëra familjarë nga qyteti i Lushnjes janë ngritur në protestë përballë zyrave të postës dhe më pas para Bashkisë, për shkak të vonesave në shpërndarjen se pagesave për personat me aftësi të kufizuara.
Që në orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë, kryesisht përfitues e invalidë, kanë pritur në radhë pranë sporteleve të postës, por janë përballur me mungesën e listave të emrave dhe moskreditimin e pagesave të tyre mujore.
Në reagimin e tyre para kamerës së TV Apollon, protestuesit shprehën revoltën, duke theksuar se fondet janë të domosdoshme për të përballuar shpenzimet e festës së fundvitit. Ata kërkuan sqarime dhe zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se kjo situatë përsëritet çdo vit.
Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë Lushnje kanë sqaruar se fondet janë transferuar në kohë nga institucioni lokal, dhe përgjegjësia për vonesat i përket sistemit të Thesarit të Shtetit, për shkak të problemeve teknike në rrjet.
Protestuesit kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet qendrore për të mos e kthyer pritjen e ndihmës në një betejë të përvitshme për mbijetesë.