Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të borës kanë përfshirë juglindjen e vendit, duke krijuar vështirësi të shumta për banorët dhe infrastrukturën.
Në zonat malore mbi 1200 metra lartësi, trashësia e borës ka arritur deri në 60 cm, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar qarkullimin dhe shërbimet bazë.
Në Dardhë, bora ka arritur deri në 50 cm. Falë punës së borëpastrueseve, qarkullimi në këtë zonë është i mundur, megjithëse përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm. Edhe në Voskopojë, ku trashësia e borës ka arritur në 20 cm, rrugët mbeten të hapura dhe pa probleme madhore për qarkullim.
Panariti është ndër zonat më të prekura, me një trashësi bore deri në 60 cm në pikën e Mashkullorës. Në këtë rajon po ndërhyhet intensivisht me mjete borëpastruese për të mbajtur qarkullimin të hapur dhe për të shmangur izolimin e zonave.
Në akset kombëtare nuk raportohet për probleme të mëdha. Të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme, përveç segmentit të ri që lidh Ersekën, ku qarkullimi është pezulluar përkohësisht. Shoferët janë detyruar të përdorin rrugën e vjetër për të mbërritur në këtë qytet.
Krahas sfidave të qarkullimit, reshjet e borës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona. Në Vithkuq janë regjistruar 6 abonentë pa energji, ndërsa në Brozdovec të Lekasit dy kabina kanë dalë jashtë funksionit. Në Çervenakë dhe Gur të Kuq, 12 abonentë janë prekur nga mungesa e energjisë.
Në Pustec, situata është edhe më e rënduar. Rreth 570 abonentë, duke përfshirë fshatrat Gorica e Madhe, Gorica e Vogël dhe Kallamasi, kanë mbetur pa furnizim elektrik. Në Devoll, rreth 3210 abonentë janë prekur, me zona si Dardha, Mollasi dhe Gjançi që raportojnë ndërprerje masive.
Në Lozhan të Maliqit, mungesa e energjisë ka prekur 100 abonentë, ndërsa në Panarit raportohen 50 abonentë të tjerë të izoluar nga rrjeti elektrik. Në total, mbi 4000 abonentë në juglindje po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Grupet e punës po punojnë në terren për të riparuar defektet dhe për të rivendosur furnizimin me energji. Megjithatë, amortizimi i rrjetit elektrik, sidomos në zonat e thella malore, po e vështirëson procesin, duke shtuar vonesat për riparimin e linjave.
Autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën dhe po koordinojnë ndërhyrjet për të minimizuar ndikimet e motit të keq. Ndërkohë, reshjet e borës pritet të vazhdojnë, duke rritur rrezikun për sfida të mëtejshme në infrastrukturë dhe shërbime.