Arrestojeni Edi Ramën!

Dosjet e lidhura me Mirlinda Karçanajn dhe Belinda Ballukun, të shoqëruara me përgjime dhe prova dokumentare ndaj Ergys Agasit dhe Ervis Berberit, nuk lënë më hapësirë për dyshim racional. Çdo analizë e ndershme e fakteve të publikuara çon në një përfundim të vetëm: Edi Rama është një kryeministër i zhytur në korrupsion sistemik.

Faktet janë të qarta dhe të dokumentuara.

Mirlinda Karçanaj u ngrit nga pozitat e një punonjëseje të Bashkisë Tiranë në administratore të mbi 500 milionë eurove të AKSHI-t gjatë gjashtë viteve të fundit. Një rritje e tillë nuk shpjegohet as me meritë profesionale dhe as me autonomi institucionale. Dosjet tregojnë se nga këto fonde, vetëm përmes skemave të lidhura me Ergys Agasin, janë përfituar rreth 40 milionë euro fitim i pastër në më pak se dy vite.

Për të garantuar funksionimin e kësaj skeme pa pengesa, janë përdorur instrumente shtetërore, përfshirë Policinë e Shtetit, si dhe elementë të krimit të organizuar. Ndërkohë, Karçanaj është kapur me zë dhe figurë në zyrën e Agasit duke manipuluar shifrat e tenderëve, të cilat dyfishoheshin nga 2 në 4 milionë euro me një lehtësi tronditëse.

Një drejtuese institucioni e varur drejtpërdrejt nga Kryeministri nuk ka asnjë arsye institucionale t’i nënshtrohet urdhrave të një ndërmjetësi privat. Në hierarkinë reale të pushtetit, Karçanaj qëndronte më lart se Agasi dhe nuk kishte as nevojë t’i shkonte në zyrë, as t’i bindej atij. Arsyeja e vetme pse ajo merrte urdhra prej tij është e thjeshtë dhe politike: sepse urdhri vinte nga Edi Rama.

Këtu hyn në lojë përgjegjësia penale e Kryeministrit.

SPAK e ka rrugën të qartë: duhet të ndjekë paranë. Sepse vetëm kjo e bën skemën racionale. Rama e ka pasur shumë më të lehtë të përfitonte pjesën e tij përmes ndërmjetësve si Agasi, i cili dyshohet se ka realizuar transferta në llogari offshore apo portofolë kriptovalutash, të cilat, herët a vonë, do të lidhen me burimin përfundimtar.

E njëjta logjikë vlen edhe për rastin e Belinda Ballukut. Komunikimet e zbardhura nga dosja e saj tregojnë se pothuajse çdo shkelje ligjore është kryer me porosi direkte të Kryeministrit: tenderë të dhënë “se është porosi e Kryeministrit”, supervizime të caktuara “se e la porosi Kryeministri”, kontrata të shpërndara sepse “ka folur me Ramën”. Këto nuk janë devijime individuale, por pjesë e një modeli qeverisës.

Edhe në sektorin e rrugëve, ndjekja e parasë do të çojë në të njëjtin destinacion: Edi Ramën.

Është e rëndësishme të theksohet se personazhe si Karçanaj dhe Balluku janë të korruptuara dhe mbajnë përgjegjësi penale individuale. Ky argument nuk synon t’i amnistojë ato. Por fokusi i hetimit duhet të jetë te koka e skemës. Sepse figurat e nivelit të mesëm mund të zëvendësohen; arkitekti i sistemit jo.

Kapja penale e Kryeministrit në detyrë do të ishte një fitore historike për drejtësinë shqiptare, duke vendosur një standard që çdo kryeministër i ardhshëm do të ishte i detyruar ta respektonte.

Vetëm në dy skandalet e përmendura, shifrat e përfituara në mënyrë të paligjshme kalojnë 100 milionë euro. Nëse këtyre u shtohen inceneratorët, sterilizimi, laboratorët dhe afera të tjera, vlera totale tejkalon 500 milionë euro. Dhe kjo ka shumë gjasa të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Shqipëria është një vend me burime natyrore të jashtëzakonshme, me një pozicion gjeografik ideal dhe me një popullsi punëtore. Nëse nuk do të vidhej në mënyrë sistematike, do të ishte një vend i begatë për qytetarët dhe një magnet për diasporën.

Asnjë nga forcat politike aktuale nuk ka treguar vullnet apo aftësi për ta ndalur këtë mekanizëm grabitjeje. Disa me dashje, disa nga pafuqia, të gjitha kanë dështuar të krijojnë besim dhe rotacion real.

Prandaj, sot, i vetmi institucion që mund ta ndalë vjedhjen e Shqipërisë është drejtësia. SPAK dhe BKH duhet të veprojnë pa kalkulime politike dhe të zbatojnë ligjin ndaj kujtdo që ka përdorur pushtetin për pasurim personal.

Arrestimi në detyrë i Kryeministrit më të pushtetshëm që ka njohur vendi do të ishte jo vetëm ngjarja më e rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare, por edhe një sinjal ndërkombëtar se Shqipëria është e aftë të luftojë korrupsionin në rrënjë dhe të hapë një kapitull të ri zhvillimi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033