Pakënaqësia për mungesën e ujit të pijshëm prej tre ditësh ka sjellë një protestë të pazakontë në Vlorë, ku qytetarët kanë hyrë në ambientet e teatrit “Petro Marko” dhe kanë ndërprerë një mbrëmje gala që po zhvillohej aty.
Me bidonë dhe pankarta në duar, protestuesit kërkuan rikthimin e furnizimit me ujë, duke shprehur hapur shqetësimin për situatën që po përjeton qyteti. Prania e tyre në sallë bëri që aktiviteti të ndërpritej, pasi ata refuzuan të largoheshin nga ambientet e teatrit.
Ngjarja u zhvillua pa incidente, ndërsa protesta u fokusua në kërkesën për zgjidhje të menjëhershme të problematikës së ujit, e cila ka prekur qytetarët për disa ditë me radhë.
Situata e mungesës së ujit në Vlorë ka shkaktuar reagime të shumta nga banorët, të cilët e konsiderojnë furnizimin me ujë një shërbim jetik dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.