Vlora “qelbet” për festa, zyrtarët vijnë anës kot, bejne foto dhe ikin.

Në prag të festave, Vlora nuk ka as ujë dhe as durim. Ka vetëm erë të rëndë neglizhence, zemërim qytetar dhe një paradë zyrtarësh që vijnë anës gropës së defektit, bëjnë foto, flasin për “përpjekje maksimale” dhe largohen, duke lënë pas të njëjtën pyetje pa përgjigje: kur do vijë uji?

Qyteti ka ditë të tëra pa furnizim normal me ujë. Familje të tëra mbushin bidonë në burime publike, bizneset funksionojnë me kufizime, ndërsa banorët përballen me kushte që nuk kanë asgjë festive. Në vend të zgjidhjeve konkrete, u ofrohet spektakël institucional: prefektë, drejtorë dhe zyrtarë që parakalojnë mbi baltë, por nuk sjellin asnjë rezultat.

Ironia është se të vetmit që realisht po punojnë janë punëtorët në terren, në kushte të vështira, nën presion dhe shpesh pa mjetet e duhura. Ndërsa ata përpiqen të mbajnë qytetin në këmbë, autoritetet merren me imazhin. Qyteti do ujë, jo selfie.

Reagimi qytetar ka qenë i ashpër dhe pa doreza. Rrjetet sociale janë kthyer në mur ankesash, ku fjalët “paaftësi”, “turp” dhe “hajdutë” përsëriten pa pushim.

“Ti qeke një mut muti, o plerë, ne duam ujë, ti bën propagandë”, shkruan një qytetar.

“Spaskeni turp? E dëgjoni çfarë thotë, uji me fekale bashkohet? Ky është krim, duhet të dënohen”, reagoi një tjetër.

“Vlora do ujë dhe jo të dilni e të justifikoni të paaftët”, shkruan një komentues tjetër.

Të tjerë akuzojnë hapur për paaftësi teknike dhe klientelizëm:

“Janë futur në punë jo për aftësi, por për miqësi. Nuk është çudi që një defekt kaq i thjeshtë nuk e zgjidhin dot”.

Në këtë klimë revolte, ka reaguar edhe kreu i grupit demokrat në Këshillin Bashkiak, Atird Hoxha, i cili ironizon narrativën zyrtare që, sipas tij, po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga pushteti aktual.

“Dikush dje më tha me shaka që Vlora nuk ka ujë, fajin e ka Saliu. Por mjafton të shohësh shkrimet dhe narrativën e enturazhit qeveritar për ta kuptuar se kjo ide po shitet seriozisht”, shkruan Hoxha.

“Thuhet se defekti ka ndodhur në një tubacion të investuar në vitin 2009. Përkthimi është i qartë: fajin e ka Saliu dhe për shkak të tij Vlora ka tre ditë pa ujë. Turp”.

Ai kujton se dikur një kryetar bashkie u largua nga detyra sepse qyteti mbeti pa ujë për tre ditë në sezon turistik dhe ngre pyetjen që sot askush nuk guxon ta bëjë:

“Po sot, në ditën e tretë pa ujë, a do të dorëhiqet kryetarja aktuale e bashkisë, aksionere me 43% në Ujësjellës-Kanalizime? Apo standardi vlen vetëm kur e do pushteti?”

Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet durim. Por durimi ka kufij. Në një qytet turistik, në fund të vitit, mungesa e ujit nuk është thjesht defekt teknik. Është pasqyrë e një sistemi që reagon vetëm kur kamera ndizet dhe harron qytetin sapo mbyllet kronika.

Vlora hyn në festa pa ujë, por me shumë zyrtarë. Dhe kjo është ironia më e hidhur: qyteti “qelbet”, ndërsa autoritetet vijnë anës kot, lënë një deklaratë dhe ikin, duke e lënë problemin po aty ku e gjetën.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033