Autoritetet italiane kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër financimit të terrorizmit, duke arrestuar nëntë persona të dyshuar se kanë grumbulluar rreth 7 milionë euro për Hamasin, nën mbulesën e ndihmës humanitare për popullsinë palestineze.
Sipas hetimeve, paratë janë mbledhur për më shumë se dy vjet përmes një sistemi kompleks fondmbledhjeje, i cili kishte si qendër Genovën dhe shtrihej edhe në Milano. Paralelisht me arrestimet, policia ka sekuestruar pasuri që kapin vlerën mbi 8 milionë euro.
Hetuesit bëjnë me dije se të dyshuarit akuzohen për kryerjen e operacioneve financiare që mendohet se kanë ndihmuar drejtpërdrejt aktivitete terroriste. Hetimi u intensifikua pas sulmit të 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor dhe u mbështet në analizën e një sërë transaksionesh financiare të dyshimta të kryera përpara këtij sulmi.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 71 për qind e fondeve, të deklaruara si ndihmë për civilët e Gazës, janë transferuar drejt strukturave të Hamasit, për të financuar krahun e tij ushtarak dhe për të mbështetur familjet e personave të përfshirë në sulme vetëvrasëse ose të arrestuar për terrorizëm.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se mes të arrestuarve ndodhet edhe Mohammad Hannoun, president i Shoqatës Palestineze në Itali. Ai falënderoi forcat e rendit për operacionin, duke nënvizuar se në këtë fazë duhet respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë për personat e përfshirë.
Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin e financimit dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë skemë.