Emergjencë uji në Vlorë, qyteti tre ditë pa furnizim, spitali mbështetet me autobotë

Furnizimi me ujë të pijshëm në Vlorë vijon të jetë i ndërprerë prej tre ditësh, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët e qytetit. Shkak për këtë gjendje është një defekt i rëndë teknik në linjën kryesore të transmetimit të ujit.

Mungesa e ujit ka detyruar qytetarët të kërkojnë alternativa, duke u drejtuar drejt burimeve publike me bidona, ndërsa shumë familje raportojnë se nuk kanë asnjë rezervë për përdorim ditor. Banorët ngrenë shqetësimin se pamundësia për të përmbushur nevojat bazë higjieno-sanitare mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin publik.

“Vlora ka tre ditë pa ujë. Situata është shumë shqetësuese dhe jemi në prag epidemie”, ka deklaruar një qytetar, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Për të shmangur pasoja në shërbimet jetike, spitali i qytetit po furnizohet aktualisht me ujë përmes autobotëve të zjarrfikësve, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Autoritetet bëjnë me dije se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për riparimin e avarisë, me synimin që furnizimi me ujë të rikthehet sa më shpejt për të gjithë qytetin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033