Një person 42 vjeç është vënë në pranga në fshatin Hajmel të Vaun e Dejës, pasi kishte penguar qarkullimin e automjeteve dhe u konstatua në posedim të lëndëve narkotike dhe municionit luftarak.
Ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të një aktiviteti festiv, ku shtetasi A. P. kishte bllokuar rrugën, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit për mjetet e tjera. Pas sinjalizimit, në zonë kanë ndërhyrë efektivët e Forcave të Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë veprimeve në terren, 42-vjeçari ka kundërshtuar verbalisht punonjësit e Policisë në momentin e kontrollit fizik. Si rezultat i këtij kontrolli, atij iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis.
Kontrollet u shtrinë më pas edhe në banesën e tij, ku policia gjeti dhe sekuestroi municione luftarake. Të gjitha materialet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, me urdhër të Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, u bë arrestimi i shtetasit A. P., 42 vjeç, banues në Dejë. Ai do të përballet me akuzat për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, municionit dhe lëndëve shpërthyese” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.