Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ka shënuar një moment historik për shëndetësinë publike shqiptare, me lindjen e bebes së parë përmes fekondimit in vitro në strukturat spitalore shtetërore. Soreja, tashmë 1 vjeç, është fëmija i parë i realizuar me këtë metodë në një spital publik.
Ky zhvillim u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, e cila në prag të festave të fundvitit prezantoi një videokartolinë urimi nga stafi i SUOGJ “Koço Gliozheni”, duke vënë në qendër këtë arritje të rëndësishme mjekësore.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 në këtë spital kanë ardhur në jetë 3 mijë e 767 bebe. Po gjatë këtij viti është krijuar Qendra Mjekësore për Riprodhim të Asistuar, ndërsa spitali ka marrë edhe statusin e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, duke rritur kapacitetet organizative dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Një nga mjekët e spitalit thekson se lindja e Sorejas përfaqëson një hap të rëndësishëm për shumë çifte që përballen prej vitesh me vështirësi në konceptim. “Soreja është fëmija i parë i realizuar përmes fekondimit in vitro në strukturat publike. Ajo është dhurata e bukur që mund t’i bëjmë shumë çifteve shqiptare që kanë vite që dëshirojnë një fëmijë”, shprehet mjeku.
Edhe nëna e Sorejas ka ndarë emocionet e saj, duke falënderuar stafin mjekësor për përkushtimin dhe profesionalizmin. “Kjo është princeshë Soreja. Unë jam e lumtur që, falë këtyre doktorëve kaq të mrekullueshëm, kam sot vajzën time”, u shpreh ajo.
Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar këtë arritje si një simbol të shëndetit, shpresës dhe jetës së re për vitin 2026, duke e konsideruar një lajm të rëndësishëm për familjet shqiptare dhe një tregues të avancimit të shërbimeve publike shëndetësore në fushën e fertilitetit dhe riprodhimit të asistuar.