Dekorohet inspektori Marsel Bicja për shpëtimin e një qytetari pas shpërthimit me molotov

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dekoruar inspektorin e policisë Marsel Bicja me “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”, për ndërhyrjen e tij vendimtare pas një shpërthimi me bombë molotov, ku shpëtoi jetën e një qytetari nga djegia.

Ceremonia e vlerësimit u zhvillua gjatë aktivitetit të fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Certifikata vlerëson aktin e inspektorit Bicja, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe shpejtësi, duke shmangur pasoja të rënda për jetën e qytetarit të përfshirë në ngjarje.

Në motivacionin e certifikatës theksohet: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit.”

Gjatë ceremonisë, Ilir Proda e falënderoi inspektorin për veprimin e tij, duke theksuar se ky rast “dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, ndërsa e inkurajoi të vijojë me përkushtim përmbushjen e misionit të tij.

Edhe drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e inspektorit, duke nënvizuar se ndërhyrja e tij nuk erdhi si pasojë e një urdhri, por u udhëhoq nga ndjenja njerëzore dhe përgjegjësia që mbart uniforma e Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, inspektori Marsel Bicja shprehu mirënjohjen për vlerësimin e marrë, duke deklaruar se veproi pa hezitim, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet parësor për të dhe për kolegët e tij.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033