Ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Butrintit, pesë persona dërgohen në gjyq nga Prokuroria e Sarandës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona, të dyshuar për lejimin dhe realizimin e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Butrint”.

Sipas organit të akuzës, çështja lidhet me ndërtime të kryera në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, territor që gëzon status të veçantë mbrojtjeje si pjesë e Parkut Kombëtar “Butrint” dhe Monument Natyre. Zona është e përfshirë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare, të miratuar me Vendimin nr. 303, datë 10.05.2019, të rishikuar dhe ndryshuar me VKM nr. 187, datë 25.03.2021.

Hetimet mbi procedimin penal nr. 416 të vitit 2023 kanë zbuluar se në këtë zonë është ndërtuar në një sipërfaqe të konsiderueshme pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Po ashtu, rezulton se nga punonjësit e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Bashkia Sarandë, nuk është ndjekur procedura ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe nuk është marrë masa administrative e parashikuar, përfshirë vendosjen e gjobës.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka dërguar në gjyq:

– shtetasin R.P., i akuzuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, të parashikuara nga nenet 199/a/4, 200, 199 dhe 202/b të Kodit Penal;

– personin juridik “Laguna Invest”, i akuzuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, sipas neneve 199/a/4 dhe 200 të Kodit Penal;

– shtetasit E.Z., B.K. dhe V.X., inspektorë të IVMT pranë Bashkisë Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal;

– shtetasin A.M., kryeinspektor i IVMT pranë Bashkisë Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar po ashtu për “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.

Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa hetimet lidhur me këtë procedim penal konsiderohen të përfunduara.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033