Policia e Shtetit ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër shitjes dhe shpërndarjes së paligjshme të dekoderëve IPTV piratë, një fenomen që sipas autoriteteve ka dëmtuar mijëra qytetarë dhe kompani të licencuara në vend.
Drejtoria e Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka zbuluar një skemë mashtrimi, ku individë dhe subjekte të paregjistruara shisnin dekoderë dhe shërbime televizive pa licencë, përmes tregut informal dhe rrjeteve sociale. Në disa raste, sipas hetimeve, është përdorur në mënyrë të paligjshme edhe logoja e kompanisë “DigitAlb”, duke krijuar konfuzion te konsumatorët dhe duke përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash.
Sipas Policisë, transmetimet televizive realizoheshin pa autorizim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, çka ka sjellë dëm financiar për subjektet e licencuara. Në kuadër të operacionit të koduar “Anti-Pirateria”, janë ushtruar kontrolle ndaj shtatë subjekteve në qytetet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje për kodimin dhe shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive, dekodera IPTV dhe pajisje të tjera elektronike që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Hetimet po vijojnë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të autorit”, ndërsa personat e përfshirë pritet të përballen me përgjegjësi penale në bazë të legjislacionit në fuqi.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin përdorimin e shërbimeve televizive të palicencuara, duke zgjedhur vetëm platforma të autorizuara dhe të rregulluara ligjërisht.