Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në qytetin e Koplikut, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën gjatë kryerjes së punimeve në një objekt.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 11:40, shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa po punonte në një magazinë për vendosjen e paneleve diellore. Si pasojë e goditjes elektrike, i riu ka ndërruar jetë në vend.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje tragjike. Hetimet vijojnë.