Protestat e fermerëve në Greqi vijojnë edhe pas festave të Krishtlindjeve, duke sjellë kufizime të reja në qarkullimin rrugor në zonën kufitare greko-shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Kufitare Kakavijë, autoritetet shqiptare janë informuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 sipas orës greke, aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të bllokohet për shkak të protestës që do të zhvillohet në kryqëzimin e fshatit Kallpaq.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të jetë i ndaluar për automjetet, ndërsa do të lejohen të kalojnë vetëm mjetet që kanë emergjenca shëndetësore. Kufizimi pritet të ndikojë kryesisht në lëvizjen e kamionëve dhe transportin e mallrave drejt dhe nga Greqia.
Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim dhe rekomandon planifikimin e udhëtimeve në orare të tjera, për të shmangur vonesat dhe bllokimet në pikën kufitare.