Pezullohen tre punonjës të Bashkisë Vlorë pas dyshimeve për abuzim me karburantin

Tre punonjës të Bashkisë së Vlorë janë pezulluar nga detyra që prej datës 19 dhjetor 2025, pasi dyshohet se kanë marrë karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve. Në të njëjtën çështje ka nisur procedim disiplinor edhe ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake, për shkelje të detyrës.

Rasti është evidentuar më 19 dhjetor, kur një efektiv i Policisë Bashkiake ka njoftuar përgjegjësin e sektorit se shoferi i një kamioni të ushtrisë, i parkuar brenda territorit të Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve dhe i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit, kishte konstatuar shenja të dyshimta që sugjeronin mungesë karburanti nga mjeti i punës.

Pas njoftimit, drejtuesi i sektorit dhe një tjetër efektiv janë paraqitur në ambientet e pikës, ku kanë kontaktuar komandantin përgjegjës të mjeteve të ushtrisë dhe kanë verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar kamioni.

Nga kontrolli i pamjeve filmike ka rezultuar se kamera monitoruese që mbulonte këtë hapësirë ishte zhvendosur qëllimisht, ndërsa një situatë e ngjashme ishte konstatuar edhe në një tjetër interval kohor. Gjatë këtyre orareve, shërbimi i Policisë Bashkiake ishte planifikuar të kryhej nga një efektiv i caktuar.

Sipas deklarimeve të tij, zhvendosja e kamerave është bërë me pretendimin se dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit i kishin kërkuar këtë veprim për të furnizuar automjetin e tyre me një bidon nafte.

Në vijim, Policia Bashkiake ka nisur procedim disiplinor ndaj efektivit përkatës për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa tre punonjësit e Bashkisë janë pezulluar nga puna. Hetimet administrative vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale.

Pavarësisht masave të marra, mësohet se punonjësit e përfshirë kanë kërkuar të rikthehen në detyrë, ndërsa çështja mbetet ende në proces verifikimi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033