Një 54-vjeçar, punonjës i shërbimit zjarrfikës në Pogradec, është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se përdorte lokalin që kishte në administrim për shitjen e lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë Luan Sulstarova, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e biznesit, i ndodhur në lagjen nr. 1 të qytetit, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis. Sipas burimeve zyrtare, një pjesë e saj ishte e ndarë në doza gati për shitje.
Po ashtu, janë sekuestruar një shumë parash, e dyshuar se është përfituar nga veprimtaria e paligjshme, si dhe dy aparate celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në kuadër të hetimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve ligjore.
Menjëherë pas arrestimit, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, 54-vjeçari është pezulluar nga detyra.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje.