Operacion policor në Shkodër: arrestohet një 25-vjeçar, në kërkim bashkëpunëtori i tij

Një operacion i mirëorganizuar i Policisë së Shkodrës ka çuar në arrestimin e një 25-vjeçari dhe në shpalljen në kërkim të një 39-vjeçari, të dy të dyshuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vjedhjen, armëmbajtjen pa leje dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Livadhet”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit S. C., 25 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë, është shpallur në kërkim B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në këtë qytet.

Sipas Policisë, 25-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, si edhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Hetimet lidhen edhe me një kontroll të ushtruar më 29 prill 2025, në zonën e njohur si Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”. Gjatë këtij kontrolli, në një ambient të fshehur u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis, si dhe një automjet tip “Toyota Hilux”, pa targa.

Automjeti rezultoi të ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit dhe ishte fshehur e mbuluar rreth 100 metra larg vendit ku u gjetën armët dhe lënda narkotike.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dy personave të përfshirë në këtë çështje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për ndjekje të mëtejshme ligjore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033