Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi prej 5 tonësh djathë “Gouda” dhe 944 kilogramë fileto pule në një subjekt ushqimor, për shkak të mungesës së kundëretiketës në gjuhën shqipe.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë, në kompaninë “Tona” janë konstatuar shkelje të kërkesave ligjore që lidhen me etiketimin dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore. Inspektorët kanë evidentuar se produktet e bllokuara nuk ishin të pajisura me kundëretiketë në gjuhën shqipe, siç parashikon legjislacioni në fuqi.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit është marrë masa administrative e gjobës, ndërsa produktet janë bllokuar deri në rregullimin e dokumentacionit dhe përmbushjen e plotë të standardeve të etiketimit të kërkuara nga ligji.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë zinxhirin ushqimor, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe informimin e saktë të tyre mbi produktet që tregtohen në treg.