Goditet rrjeti i shpërndarjes së drogës në Tiranë, 22 persona arrestohen, 6 në kërkim

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke goditur një grup kriminal me aktivitet të shtrirë në disa zona të kryeqytetit. Si rezultat i hetimeve disa javore, janë identifikuar gjithsej 33 persona si pjesë e këtij rrjeti.

Sipas njoftimit zyrtar, janë vënë në pranga 22 shtetas, ndërsa 5 persona të tjerë janë arrestuar gjatë fazës hetimore. Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal zhvillohej individualisht ose në grupe, me shpërndarje dhe shitje të lëndëve narkotike në forma të ndryshme.

Gjatë operacionit policor të koduar “Labirinti 2”, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të saj, rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 5 automjete, 28 aparate celularë, 6 peshore elektronike dhe një shumë prej 3 000 eurosh.

Të arrestuarit janë: Renaldo Dalipi, 32 vjeç; Engelbert Pjetri, 33 vjeç; Armandi Hajdini, 43 vjeç; Olsi Mici, 32 vjeç; Fatjon Cela (Çela), 34 vjeç; Xhon Boci, 31 vjeç; Laert Murataj, 23 vjeç; Artan Pullazi, 47 vjeç; Erald Sina, 39 vjeç; Blerim Mali, 34 vjeç; Gentjan Vercani, 39 vjeç; Valerjos Bushi, 19 vjeç; Olkid Hajdari, 35 vjeç; Dylber Alijaj, 39 vjeç; Angjelos Mema, 23 vjeç; Majdi Musa, 19 vjeç; Jurgen Hekurani, 29 vjeç; Erdison Gjella, 31 vjeç; Abdurahman Bollati, 20 vjeç; Klodian Rrucaj, 27 vjeç; Indri Nakaj, 22 vjeç; dhe Genti Kraja, 20 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme. Aktiviteti kriminal ishte përhapur në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Bllokun, Kamzën, Laprakën, Selitën, Tiranën e Re, Shkozën, Ali Demin, Xhamllikun, Pazarin e Ri, Shkollën e Kuqe, Astirin, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033