Evisa Sema në shërbim të kryetarit, jo të qytetarit:

Rregullorja, komisionet dhe beteja për kontrollin e Këshillit Bashkiak Fier

Në dukje, gjithçka nisi si një debat teknik për një dokument të thatë: Rregullorja e Këshillit Bashkiak Fier. Një tekst voluminoz, i miratuar vite më parë, që sipas mazhorancës nuk i përgjigjet më realitetit politik të sotëm. Por procesverbali i mbledhjes së 22 dhjetorit 2025 tregon se pas këtij debati “procedural” fshihet një konflikt shumë më i thellë: një betejë për kontroll, për transparencë dhe për pushtet real brenda institucionit më të lartë përfaqësues vendor.

Prej muajsh, media lokale ka kërkuar të filmojë mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të komisioneve. Rregullorja aktuale e lejon këtë. Kamerat, megjithatë, nuk sjellin vetëm fjalimet e përgatitura; ato ekspozojnë ndërprerjet, përplasjet, momentet e sikletshme, mungesën e argumenteve dhe shpesh boshllëkun politik të debatit. Pikërisht këtu nis problemi për mazhorancën lokale: transparenca nuk kontrollohet dot.

Në këtë kontekst, Evisa Sema, kryetare e Këshillit të Qarkut Fier dhe njëkohësisht kryetare e grupit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak Fier, merr fjalën përpara miratimit të rendit të ditës. Fillimisht, ajo njofton për kalimin e një këshilltareje në grupin e PS-së, duke kërkuar që deklarata të administrohet nga sekretari. Menjëherë shpërthen debati procedural me Endri Jaupaj, i cili e kundërshton këtë veprim, duke kërkuar respektim strikt të rregullores dhe deklarim personal në sallë.

Por ky është vetëm preludi.

Pak minuta më vonë, Evisa Sema hap temën që do të dominojë gjithë mbledhjen: rishikimin e Rregullores së Këshillit Bashkiak. Argumenti i saj është se rregullorja është miratuar “kur Këshilli ishte njëngjyrësh”, në një kohë kur kishte 51 këshilltarë të së njëjtës forcë politike dhe sot, në një realitet plural, krijon paqartësi dhe boshllëqe.

Ajo flet për nene që bien ndesh me njëri-tjetrin, për mungesë qartësie në kompetencat e Kryesisë, për ndërprerje fjale dhe për fyerje pa sanksione. “Jemi fyer”, thotë Sema, duke e zhvendosur debatin nga institucionalja në personale dhe duke ndërtuar një narrativë ku rregullorja paraqitet si burim kaosi.

Reagimi është i fortë dhe i drejtpërdrejtë. Endri Jaupaj e lexon këtë lëvizje si një përpjekje për censurë. Ai e lidh hapur rishikimin e rregullores me transmetimet televizive të mbledhjeve dhe e akuzon mazhorancën se po kërkon të ndryshojë rregullat për të mbyllur kamerat.

“Për këtë e ke?”, pyet ai, duke e quajtur nismën një reagim ndaj ekspozimit publik, jo një reformë reale.

Edhe këshilltarë të tjerë kërkojnë qartësi. Kryetarja e Komisionit të Mandateve dhe Rregulloreve ngre pyetjen thelbësore: ku është problemi konkret që kërkon ndryshim? Cilat janë rastet? Cilat nenet? Pa një material të detajuar dhe pa shembuj konkretë, ngritja e një grupi pune shihet si e nxituar dhe e pajustifikuar.

Megjithatë, mazhoranca ecën përpara. Propozimi formal i Evisa Semës është ngritja e një grupi pune për riformatimin e rregullores, me përfaqësim të balancuar politik, asistencë nga donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëmarrje të administratës së bashkisë pa vendimmarrje. Ajo thekson disa herë se grupi nuk do të marrë vendime, por vetëm do të propozojë.

Në votim, propozimi kalon: 27 vota pro, 4 kundër, asnjë abstenim. Një fitore procedurale për Semën dhe mazhorancën. Por procesverbali tregon qartë se kjo është vetëm faza e parë e një procesi më të gjerë.

Komisionet dhe Kryesia e Këshillit: fronti i vërtetë i pushtetit

Në politikën vendore, komisionet dhe Kryesia e Këshillit janë vendi ku bëhet puna reale. Aty filtrohen projekt-vendimet, aty vendoset çfarë shkon në sallë dhe çfarë bllokohet. Dhe pikërisht këtu, debati për rregulloren lidhet drejtpërdrejt me një tjetër çështje delikate: balancat në komisione, kush i kryeson ato dhe kush do të jetë në Kryesinë e Këshillit nga këshilltarët.

Nga diskutimet në sallë del qartë se ekziston pakënaqësi për mënyrën si funksionojnë komisionet dhe Kryesia e Këshillit. Disa këshilltarë flasin për paqartësi kompetencash, të tjerë për dominim politik dhe për tentativa për të imponuar vendime nga lart. Në këtë klimë, rishikimi i rregullores shihet si çelësi për të riformatuar komisionet, për të ndryshuar drejtuesit dhe për të vendosur një kontroll më të fortë mbi procesin vendimmarrës.

Këtu hyn edhe elementi i tretë, ndoshta më i ndjeshmi: deklarimi politik i këshilltarëve. Në mbledhje, hidhet ideja që çdo këshilltar të deklarojë zyrtarisht se cilit grup politik i përket. Në pamje të parë, kjo paraqitet si një kërkesë për transparencë. Në realitet, ajo shihet nga opozita dhe nga disa këshilltarë si një përpjekje për të ndryshuar balancat në komisione dhe në Kryesi, duke rikonfiguruar raportet e forcës sipas interesit të mazhorancës.

Kreshnik Dapi paralajmëron se pa argumente konkrete dhe pa analiza të dokumentuara, riformatimi i rregullores dhe i komisioneve rrezikon të kthehet në një instrument arbitrar. Ai kërkon që çdo problematikë të paraqitet me fakte, jo të maskohet pas termave si “përmirësim” dhe “qeverisje e mirë”.

Në të njëjtën linjë, disa këshilltarë ngrenë shqetësimin se deklarimi politik mund të përdoret për presion dhe për disiplinim, duke e kthyer Këshillin në një arenë ku zëri kritik penalizohet përmes procedurave.

Një Kryesi në krizë dhe nënkryetarë në hije

Procesverbali nxjerr në pah edhe një tjetër problem: krizën e Kryesisë së Këshillit. Ndërprerjet, debatet procedurale dhe mosmarrëveshjet për rendin e ditës tregojnë një institucion që nuk funksionon me autoritet të qartë. Në këtë situatë, rishikimi i rregullores shihet nga mazhoranca si mënyra për të forcuar disiplinën, ndërsa nga opozita si përpjekje për kapje proceduriale.

Roli i kryetarit të bashkisë, Armando Subashi

Në sfond qëndron figura e Armando Subashi. Ai nuk është protagonisti i drejtpërdrejtë i debatit për rregulloren, por “hija” e tij ndihet. Një mazhorancë në Këshill, që ai e ka krijuar me duart e tij dhe e kontrollon me lehtësi, me rregulla më të shtrënguara, me komisione të riformatuara dhe me debat të kontrolluar, i vjen shumë për shtat.

Subashi, formalisht, është jashtë debatit, por praktikisht qëndron mbi të. Ai nuk e shtyn hapur këtë proces, por as nuk e frenon. Heshtja e tij është po aq domethënëse sa fjalimet e të tjerëve.

Marrja nën kontroll e frenave dhe rikthimi i autoritetit është luftë për jetë a vdekje për të. Me arrestimin e një nënkryetareje të bashkisë për abuzim me fondet e parkingut (e cila për pak e mori me vete), me eklipsimin e rolit të tij nga Belinda Balluku dhe me vendosjen e katër nënkryetarëve të rinj, dukej se Subashi kishte marrë fund.

Marrja nën kontroll e Këshillit, kalimi i buxhetit gati me unanimitet dhe ashtu siç e deshi ai, si edhe stepja dhe pasiviteti i katër nënkryetarëve të rinj dhe i atyre që nuk e duan në PS, pasi duket se ylli i “Belës” ka perënduar, kanë bërë që Subashi të fillojë të aktivizohet dhe të rivendosë autoritetin e humbur.

Tentativën për “përmbysje të ekuilibrave në Kryesi dhe brenda Këshillit” e denoncoi në deklaratën e tij përpara këshilltarëve edhe kryetari i grupit të Socialdemokratëve, Kreshnik Dapi:

“Përsa i takon urdhrave e zotimeve të tij në drejtim të këshilltarëve për largim këshilltarësh nga Kryesia e Këshillit ose largim anëtarësh nga pozicionet që mbajnë në Komisionet e Këshillit, vetëm sepse nuk i vijnë përshtat fasadës së zotit Subashi, apo edhe kërkesa e tij absurde që në muajin janar 2026 të gjithë këshilltarët duhet të deklarojnë me shkrim ose me gojë se kujt grupimi politik i përkasin, tregojnë në thelb problemin e vërtetë që ka Bashkia Fier. Duke qenë njeri që vjen nga sistemi i vjetër i drejtësisë, nga ai sistem të cilin Partia Socialiste, Socialdemokrate e disa parti të tjera përpara shumë vjetësh e hodhën me votë në koshin e plehrave të historisë, i kujtojmë zotit Subashi se urdhra, deklarime e intimidime të tilla kundrejt këshilltarëve tregojnë një tendencë për kapjen e Këshillit Bashkiak Fier, që është një vepër antikushtetuese dhe që minon demokracinë dhe shtetin e së drejtës!”

Pse tani?

Pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë: pse rishikimi i rregullores, komisioneve dhe deklarimi politik po vijnë pikërisht tani? Pse jo më parë?

Përgjigjja nuk gjendet në deklaratat formale, por në kronologjinë e fakteve: rritja e interesit të mediave, kërkesa për transmetime, ekspozimi i debateve dhe presioni publik.

Ky nuk është një proces i pafajshëm administrativ. Është një luftë për kontrollin e skenës publike dhe për menaxhimin e imazhit politik. Rregullorja, komisionet dhe deklarimi politik shihen si hallka të së njëjtës zinxhir: kufizimi i transparencës dhe rimarrja e kontrollit mbi Këshillin Bashkiak Fier.

Në fund, pyetja për qytetarët e Fierit mbetet thelbësore:

a po përmirësohet demokracia lokale, apo thjesht po rregullohen mekanizmat për ta kontrolluar atë më mirë?

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033